Procesit të imunizimit ndaj Covid-19 i është nënshtruar edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani.

Ai ka deklaruar se këtë e bën me qëllim që të dërgojë mesazh deri te qytetarët, ata që kanë dyshime, që të ndjekin shembullin e tij dhe të vaksinohen kundër Covid-19.

“Dua t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, që edhe ata që kanë pak dyshime ta ndjekin shembullin tim dhe shembullin e të gjithë punëtorëve shëndetësorë dhe të vaksinohen. Shpresoj që vaksinat tjera të arrijnë së shpejti dhe kështu të arrihet imunizimi kolektiv”, tha Hasani.

Ndërkaq ka vlerësuar se vaksinimi i tij do ta mbrojë atë dhe pacientët e tij gjatë punës me to.

“Që ta mbroj veten dhe pacientët e mi, unë sot u vaksinova kundër Covid-19 edhe atë me grupin e parë të punëtorëve shëndetësor. Dua të theksoj se vaksinimi është vullnetar dhe të gjithë personat që dëshirojnë të vaksinohen, do të duhet të bëjnë kërkesë dhe të plotësojnë formular, se pajtohen me vaksinimin”, shtoi më tej Hasani.

Pasi u vaksinua pati edhe një kartelë si dëshmi, por ai nuk deklaroi se ajo paraqet pasaportë. Tha se për këtë do të vendoset në hapat e ardhshme që do të ndërmerren nga Ministria e Shëndetësisë.

Ai ka njoftuar se deri në momentin kur po flet, janë vaksinuar mbi 1300 punëtorë shëndetësorë./TV21