Dikur shef i tyre, kurse sot person të cilin duhej ta sillnin si i akuzuar. Sasho Mijallkovi me furgon policor u soll në Gjykatën Penale.

Këshilli Gjykues shqiptoi dënime me burg prej gjithsej 55 vjetëve për përgjimin joligjor, kurse pastaj edhe për shkatërrimin e pajisjeve.

“Gjykata, e dënon Sasho Mijallkovin me dënim burgu në kohëzgjatje prej 12 vjetëve. Gjykata, të akuzuarën Gordana Jankulloska e dënon me dënim me burg prej 4 vjetëve”, tha Xheneta Begtoviq – gjykatëse.

Edhe 9 personat e tjerë të dyshuar në këtë rast, morën dënime me burg, 5 prej të cilave janë me kusht.

Aktvendim për rastin “Target-Fortesa”

1.Sasho Mijallkov – 12 vite burg (llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgimin shtëpiak dhe në burg)

2.Gordana Jankulloska – 4 vite burg

3.Goran Grujevski – 15 vite burg

4.Nikolla Boshkovski – 15 vite burg

5.Nadica Nikoliq – 3 vite burg

6.Toni Jakimovski – 6 vite burg

7.Vlladimir Varellov – Dënim me kusht prej 2 vjetëve

8.Marjan Shumulikoski – Dënim me kusht prej 2 vjetëve

9.Silvana Zllatova – Dënim me kusht prej 2 vjetëve

10.Vasko Isakoski – Dënim me kusht prej 2 vjetëve

11.Valentina Simonoska – Dënim me kusht prej 2 vjetëve

Të gjithë të akuzuarit, përveç të arratisurve Grujevski dhe Boshkovski, erdhën në sallën gjyqësore për ta dëgjuan aktvendimin.

“Të akuzuarit në periudhën kritike ishin funksionarë të lartë të pushtetit, kanë treguar qëndrim se funksionarët janë mbi ligjin. Kur një funksionar i tillë me autorizime të tilla e shkel ligjin, kjo i shkatërron themelet e shtetit të së drejtës, funksionarët duhet t’i respektojnë ligjet, atyre u janë dhënë autorizime të mëdha dhe po ashtu pikërisht prej tyre pritet shkallë më e madhe e përgjegjësisë. Ata i kishin të gjitha privilegjet, por tërësisht e kanë shkatërruar besimin e opinionit publik tek institucionet dhe pushteti”, shtoi gjykatësja Xheneta Begtoviq.

Vendimin e solli këshilli gjykues prej 5 anëtarëve: Xheneta Bektoviq si gjykatës i parë, Vlladimir Tufegxhiq si gjykatës i dytë dhe tre anëtarë të porotës. Aktvendimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë për t’u ankuar deri te Gjykata e Apelit në Shkup.

Por shqiptimi i aktvendimit për një pjesë të këshillit gjykues nuk ishte aspak i lehtë.

Në fund të aktvendimit gjykatësi kërkoi falje dhe tha se kjo është për shkak të mosmbajtjes së maskave.

Për shkak të rrezikut nga arratisja dhe për shkak të konfirmimit të MPB-së se nuk ka pajisje për mbikëqyrje audio dhe video gjatë 24 orëve të Sasho Mijallkovit, gjykata e pranoi propozimin për paraburgim në burg.

“Janë konfirmuar të dhënat se i akuzuari Mijallkov ka leje për qëndrim dhe adresë të regjistruar në Prag, ku ka regjistruar edhe dy automjete në emër të tij”, u shpreh Lençe Ristovska – prokurore.

Një prej avokatëve të Mijallkovit, Lupço Shvërgovski kishte vërejtje dhe kërkoi nga gjykata që ta refuzojë propozimin për paraburgim duke theksuar se nuk është faji i Mijallkovit që MPB-ja nuk ka mundësi teknike për mbikëqyrje prej 24 orëve dhe se klienti i tij me asgjë nuk ka treguar se do të arratiset. Mijallkovi nuk kishte asgjë për të shtuar, vetëm theksoi se mbetet në fjalët e avokatit të tij.

“Ndaj të akuzuarit Sasho Mijallkov shqiptohet masë paraburgimi derisa të bëhet i plotfuqishëm aktvendimi i kësaj gjykate, përkatësisht derisa të fillojë ta vuajë dënimin, më gjatë 60 ditë”, potencoi Xheneta Begtoviq – gjykatëse.

Për Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkoski është shqiptuar masë paraburgimi që do të vlejë deri në momentin kur do t’u jenë të kapshëm organeve të përndjekjes.