Kur Real Madridi u përball të mërkurën me Atalantan në Ligën e Kampionëve, skuadra spanjolle kishte një mungesë të dukshme. Por ndoshta plotësisht të parashikueshme.

Eden Hazard, i transferuar në vitin 2019 nga Chelsea për një tarifë që mund të kalojë 170 milionë euro, nuk shihej askund në fushën e stadiumit në Bergamo.

Nga Real Madridi thonë se belgu është në prag të një rikthimi tjetër – i 11-ti i tij deri më sot – pas dëmtimeve të vazhdueshme gjatë 20 muajve në klub. Hazard pritej të ishte jashtë fushës për katër deri në gjashtë javë pas një dëmtimi tjetër të muskujve të pësuar në fund të janarit në ndeshjen kundër Levantes, por kthimi i tij në fushë gjatë javës së kaluar për disa stërvitje të buta vrapimi është vetëm nxitja e mesfushorit për të cilën ka nevojë derisa përpiqet ta ringjallë karrierën e tij në Real Madrid. E vërteta është se Hazard po zbulon me shpejtësi te Real Madrid se çfarë do të thotë të mos arrish pritjet në një klub që pagoi çmim të madh për transferimin e tij, pavarësisht nëse është faji i tij apo jo.

“Eden Hazard është bërë prej qelqi”, thonë mediat e fuqishme të Madridit.

Belgu arriti në kryeqytetin spanjoll duke mbajtur më shumë sesa valixhet e tij. Ai erdhi me një dëmtim i cili e mbajti jashtë për tri ndeshje para se të shkelte në fushë për stërvitje. Që atëherë Hazard ka vazhduar karrierën te Reali siç e ka filluar. Deri në këtë pengesë të fundit, karriera e Hazardit në Madrid e ka parë atë të pësojë më shumë lëndime (10) sesa që ka shënuar gola (4). Shumica e tyre janë probleme të muskujve. Ai deri më tani ka bërë 35 paraqitje për Real Madridin në të gjitha garat, por i ka humbur 46 të tjera për shkak të lëndimeve.

Është një ecuri depresive, një dëmtim vjen pas tjetrit. Sikur lëndimet mos të mjaftonin, ai humbi një periudhë në nëntor të vitit të kaluar për shkak të koronavirusit.

Në Chelsea ai humbi vetëm 20 ndeshje gjatë shtatë sezoneve. Kjo nuk do të vijë si ndonjë ngushëllim për të, por Hazard është të paktën në shoqëri të mirë dhe thjesht i fundit në një listë mbresëlënëse të super yjeve që pasi arritën në Madrid fituan titullin e padëshiruar të “futbolistas de cristal” (futbollistët e xhamit).

Tashmë krahasimet janë duke u bërë me Gareth Balen, i cili kishte 23 çështje mjekësore gjatë shtatë viteve të tij në klub, megjithëse uellsiani mund të paktën të shikonte prapa në momentet e triumfit, veçanërisht sukseset në finalet e Ligës së Kampionëve në Lisbonë dhe Kiev.

Sensacioni brazilian Kaka arriti në Madrid dy vjet pasi fitoi “Topin e Artë” dhe vazhdoi të kalonte më shumë kohë në tryezën e trajtimit sesa në fushën e stërvitjes.

Dhe nëse Hazard po e ka të vështirë këtë situatë, atëherë anglezi Jonathan Woodgate ishte rast më i rëndë. Qëndrimi i tij në Madrid nga viti 2004 deri në vitin 2007, e pa atë të luante më pak se 14 ndeshje në total dhe asnjë në sezonin e tij të parë. Kur debutoi përfundimisht në shtator të vitit 2005, në një ndeshje kampionale kundër Athletic Bilbaos, ai shënoi një autogol dhe më vonë u përjashtua nga fusha me karton të kuq.

Problemi i Hazardit

Pyetja që mund t’i shtrohet tani Hazardit është se ai me siguri po kalon shumë sprova, si mentale ashtu edhe fizike. Në edicionin 2015/16 kur Jose Mourinho ishte trajneri i tij në Chelsea, Hazard u shpall lojtari i sezonit. I konsideruar nga shumë – përfshirë Mourinhon – si një lojtar potencialisht në të njëjtin nivel si Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, trajneri i Chelseat filloi të bëjë presion ndaj belgut për të rritur lojën e tij. Ndërsa teknikisht dhe taktikisht ai kishte gjithçka në vend, mbetej për t’u parë nëse ai kishte guximin mendor të konsiderohej i denjë për të ngrënë në të njëjtën tryezë si Ronaldo dhe Messi. Dhe së shpejti u bë e qartë për Mourinhon se lojtari nuk kishte aftësinë e duhur mendore për të përballuar atë lloj presioni dhe se streset e shkaktuara ia zvogëluan efektivitetin si lojtar.

Mourinho u bë i vetëdijshëm me shpejtësi se mënyra për të nxjerrë më të mirën nga Hazardi ishte të sigurohej që ai ishte i relaksuar, i lumtur dhe jo nën ndonjë presion masiv. Ai u tërhoq dhe Hazard rifitoi formën e tij.

Në mënyrë të ngjashme, Antonio Conte kur ishte në Chelsea pranonte privatisht se mënyra më e mirë për të siguruar performancat më të mira nga Hazard ishte duke mos i dhënë shumë stres atij. Ai e kuptoi që nga fillimi se me Hazardin, Chelsea kishte një lojtar më të përshtatshëm për objektivat afatshkurtra se për plane afatgjate. Afatshkurtra, të tilla si performanca madhështore në finalen e Ligës së Evropës në vitin 2019 ose si ajo kur ndihmoi Belgjikën në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në vitin 2018.

Ata që e njohin më mirë thonë se Hazard është lojtar i momenteve dhe jo për 90 minuta. Një njeri që i mungon forca mendore për të demonstruar qëndrueshmëri dhe që preferon të shijojë jetën e tij dhe të ndihet i relaksuar më shumë sesa të kërkojë të jetojë në elitën e futbollit.

Dhe pikërisht për shkak të kësaj mungese dëshire për të qenë drejtues, kapiten, ose për të marrë përsipër kërkesat taktike të vendosura nga trajneri Maurizio Sarri, erdhi përçarja me trajnerin italian.

Në Madrid, Hazard ka ndryshuar rutinat. Ai bën shumë punë në palestër, ushtrime thelbësore dhe ekuilibër, diçka që vështirë e bënte kur ishte në Chelsea.

Moskujdesi ndaj trupit, mosmbajtja e dietave dhe brishtësia mentale e kanë bërë atë më të prekshëm nga dëmtimet. Mjekët te Përfaqësuesja e Belgjikës janë të bindur se problemet që ai po i vuan janë më shumë fiziologjike sesa psikologjike. Ata besojnë se Real Madridi ka nxituar për kthimin në aksion të lojtarit që ka humbur dy faza përgatitore si rezultat i dëmtimit.

Reali është goditur rëndë nga një krizë dëmtimesh gjatë gjithë sezonit. Lëndimi i fundit i Dani Carvajalit dërgon shifrën e lëndimeve në 40 për këtë edicion, të ndarë në 20 lojtarë. Përveç Hazardit, Real Madridi në fitoren e vikendit të shkuar ndaj Real Valladolidit ishte edhe pa Dani Carvajalin, Sergio Ramosin, Rodrygon, Federico Valverden, Eder Militaon, Alvaro Odriozolan dhe Marcelon, të gjithë të lënduar. Asnjë ekip në Spanjë nuk ka pësuar më shumë lëndime këtë sezon se Reali.

Sipas statistikave të publikuara në “Marca” javën e kaluar, deri më tani këtë edicion Reali ka pasur 25 lëndime më shumë se Atletico Madridi, 15 më shumë se Barcelona dhe 22 më shumë se Sevilla.

E ardhmja

Miqtë dhe kolegët më të afërt me lojtarin njëzëri pajtohen se ajo që duhet të bëjë Real Madridi me Hazardin është shtypja e butonit të ringjalljes. Duke nisur me një program të plotë parasezonal. Hazard nuk përfiton nga luksi për të pasur ekip privat mjekësor, diçka që e bëjnë shumë futbollistë të nivelit të lartë. Ai është gjithashtu i etur për të kënaqur të gjithë dhe për të bërë gjënë e duhur dhe për momentin as nuk po e kënaq askënd, aq më pak veten.

Ende nuk dihet plotësisht se cilat kanë qenë pasojat e Hazardit që u infektua me koronavirus në nëntor. Disa kanë llogaritur që efektet mesatare dhe afatgjata të sëmundjes mund të çojnë në simptoma të ngjashme me ato të shoqëruara me trajnim të tepruar, të cilat nga ana tjetër mund të shkaktojnë dëmtime të reja. Klubi duhet të përballet me një lojtar që lëndohet shpesh, në vend të një lojtari që e konsideronte yll të ardhshëm kur e bleu. Ai nuk është një udhëheqës, një frymëzues por më tepër një lojtar fantastik që mund të jetë një përbërës kryesor i një ekipi fitues. Ai po i numëron mungesat dhe ndoshta më e rëndësishmja, është i lumtur në Madrid. Hazard është i vendosur dhe kënaqet me stilin e jetës. Lajmi se ai tani mund të rifillojë stërvitjet me ekipin e parë do të jetë vetëm rritja që i nevojitet. Ai ishte në një vend të errët menjëherë pas pengesës së fundit. Ndërsa nuk dihet nëse Hazard ka gjasa të jetë në fushë për ndeshjen e kthimit kundër Atalantas që luhet muajin tjetër. Hazard tani po ndihet shumë mirë në mendje, sidomos që pati kohë për të kaluar në shtëpi me familjen e tij.

Nëse Real Madridi mund të fillojë të kuptojë cilat janë pikat e forta kryesore të Hazardit, atëherë nuk ka asnjë arsye pse ai të mos vazhdojë të shijojë një karrierë të gjatë dhe të frytshme në “Santiago Bernabeu”. Më e rëndësishmja ndoshta, në klub duhet të pranojnë se cilat janë kufizimet e tij dhe pastaj, me shpresën që nuk do të vonojë shumë dhe Hazard të bëjë atë që e bëri te Chelsea e Belgjika edhe me fanellën e Real Madridit.