Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka quajtur ”njeri të rrezikshëm”, kandidatin për president të Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa ka komentuar deklaratat e tij ku ka përmendur bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

”Atje me siguri do të fitojnë forcat që këmbëngulin në bashkimin me Shqipërinë”, është shprehur Vuçiq për zgjedhjet e 14 shkurtit, përcjellë Klan Kosova.

”[Ramush] Haradinaj është një njeri i rrezikshëm”, tha Vuçiq kur komentoi deklaratat e kreut të AAK-së rreth idesë për bashkimin kombëtar, për të cilat edhe vazhdon tutje:

”Ai [Ramush Haradinaj] e tha këtë sepse [Albin] Kurti ka nevojë për një parti shqiptare për ta bërë shumicën dhe [Ramush] Haradinaj po bën presion që ajo parti të jetë ai, dhe që ai të zgjidhet president i Kosovës. Do të vinte ajo, koalicioni për një Shqipëri të Madhe”

”..dhe pastaj ata do të fillojnë të na shantazhojnë me një Shqipëri të Madhe dhe do të thonë se nëse doni ta ndalim këtë, njiheni Kosovën. Me atë ide të huajt do të vijnë tek ne”, tha Vuçiq në tvPrva të Serbisë.

Vuçiq gjithashtu u shpreh se nuk shqetësohet për atë që thonë politikanët e Prishtinës, por frikësohet që edhe të huajt do t’i bëjnë presion Serbisë mbi këtë ide.

Po ashtu tha se Serbinë e pret një vit i vështirë.

”Kjo është ajo që unë mund të them dhe atë që pres. Një pranverë, verë, vjeshtë tmerrësisht e vështirë na pret. Por, ne do të luftojmë”.