Procesi gjyqësor për përgjimin masiv dhe shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit “Target – Fortesa” është drejt fundit. Në Gjykatën Penale përfundoi procedura e provës për këtë çështje, ndërsa sot Prokuroria dhe mbrojtja filluan të paraqesin provat shtesë. Në seancën tjetër të planifikuar për të martën, duhet të bashkëngjitet ekspertiza mbi vlerën e pajisjeve të monitorimit të komunikimit në ditën kur ato u shkatërruan.

Kjo hyn në provën shtesë, sepse gjatë analizës fillestare të pajisjeve të shkatërruara, ekspertit i skadoi afati i licencës dhe për këtë, analiza e tij nuk u pranua nga Gjykata atëherë. Prokuroria e risaktësoi sot numrin e bisedave të përgjuara. Gjatë regjistrimit të arkave të PSP-së ku mbahen bisedat audio, është vërtetuar se ka 546,571 biseda të përgjuara. Mbrojtja paraqiti prova materiale për dy nga të akuzuarit. Pas paraqitjes së provave shtesë, do të jetë radha e fjalëve përfundimtare e më pas edhe vendimi për “Target- Fortesa”.

Kjo pritet të jetë në shkurt ose mars. Lëndën për përgjimet dhe shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit e filloi PSP-ja e shuar, ndërsa gjykimi zgjat më shumë se tre vite. Të akuzuar janë ish krerët e MPB-së, si ish ministrja Gordana Jankullovska, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe shefi i kabinetit të tij Toni Jakimovski, Vladimir Varelov dhe pesë persona tjerë në DSK. Të akuzuar janë edhe të arratisurit Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski që u arratisën në Greqi. Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve të përgjimit, në mënyrë të paligjshme janë ndjekur më shumë se 4 mijë numra telefoni