Presidenca portugeze e BE-së kërkon që konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore të mbahen në qershor. Kjo do të thotë se ka pak shpresa që procesi të përparojë para zgjedhjeve të 25 prillit. Ministri i Jashtëm Augusto Santos Silva zotohet të bëjë gjithçka për miratimin e kuardit negociues.

Ka pak shpresa që bisedimet e pranimet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian të fillojnë para zgjedhjeve të 25 prillit.

Presidenca portugeze e Këshillit Europian kërkon që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore të mbahet në qershor, po këtë muaj Lisbona zyrtare kërkon përfshirjen e Malit të Zi dhe Serbisë në metodologjinë e re të zgjerimit.

“Presidenca portugeze e konsideron procesin e zgjerimit si çështje të rëndësishme dhe do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj që të dinamizohet dialogu për miratimin e kuardit negociues dhe fillimin formalisht të negociatave,” tha ministri i Jashtëm Augusto Santos Silva.
Procesi me dy vendet e Ballkanit Perëndimor u bllokua nga mosmarrëveshja midis Shkupit dhe Sofjes për çështjet historike. Palët janë duke diskutuar përmes kanaleve zyrtare për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet, ndërkohë publikisht Bullgaria po kërkon shpejtimin e fillimit të negociatave me Shqipërinë, për të cilën thotë se i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura.

Pas plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, Shqipëria i plotësoi formalisht kushtet e vendosura para thirrjes së konferencës së parë ndërqeveritare, por zërat euroskeptikë nuk janë zbehur.

Nga ana tjetër ekziston një qasje e fortë për të ndarë procesin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.

Përveç Bullgarisë, vendet e tjera anëtare theksojnë se Maqedonia Veriore i ka plotësuar të gjitha kushtet e meriton të përparojë në rrugën e integrimit europian.

Sjellja bllokuese e Bullgarisë ka sjellë frustrim të madh për Gjermaninë, ish-kryesuesen e presidencës së BE-së, që ka bërë thirrje për zgjedhjen e shpejtë të çështjeve të pretenduara. /Oranews/