Restorantet në Dubai kanë filluar të ofrojnë zbritje për mysafirët të cilët janë vaksinuar kundër coronavirusit.

Tre restorantet e drejtuara nga Gates Hospitality ofrojnë një zbritje prej 10 për qind për klientët që morën dozën e parë të vaksinës dhe 20 për qind për ata që morën dy.

Për të marrë zbritjen, të ftuarit duhet të tregojnë prova të vaksinimit, të tilla, si një certifikatë mjekësore. Ndërsa disa njerëz e mirëpritën lëvizjen, ajo gjithashtu shkaktoi diskutime në mediat sociale.

Emiratet e Bashkuara Arabe filluan vaksinimin masiv në dhjetor pasi miratuan vaksinat nga kompania kineze, Sinopharm dhe prodhuesi amerikan i ilaçeve, Pfizer dhe partneri gjerman, BioNTech gjersa tashmë kanë vaksinuar 2.5 milionë të popullsisë së tyre.

Autoritetet shëndetësore në Dubai njoftuan këtë javë se do të duhet të zvogëlojnë vaksinimin pasi Pfizer njoftoi shtyrjen e dërgesës për shkak të punimeve në fabrikën në Belgjikë. Vaksina Sinopharm është akoma e disponueshme.

Pavarësisht nga rritja e ndjeshme e rasteve që prej Vitit të Ri, Dubai është ende e hapur për turizëm dhe restorantet operojnë me rregullat e distancës. Masat u shtrënguan gjatë fundjavës, ku restorantet dhe kafenetë u urdhëruan të rrisin distancën midis tavolinave nga dy metra në tre.