Historitë e suksesit të të rinjve shqiptarë jashtë kufijvë nuk kanë të ndalur!

Xhesina Xhika, është një vajzë shqiptare e cila prej katër vitesh jeton në Dubai. Në një lidhje “Skype” në “Shqipëria Live” , 25-vjeçarja ka treguar se punon si stjuardesë por tregon se gjatë kësaj kohe i lindi pasioni për pilotimin dhe së shpejti synon të fluturojë me kompanitë më të mëdha ajrore.

Xhesina është nga një fshat i Elbasanit dhe shprehet e lumtur që iu dha mundësia të mësonte një profesion si pilotimi.

“Para tre vitesh fillova punë si stjuardesë. Kisha mundësinë të shikoja pilotët, kabinën e pilotimit, si fluturonin dhe më pëlqente shumë. Misa të marr informacione dhe të bëj trajnime për ta mësuar si profesion. Është i kushtueshëm.

Më duhet rroga dhe më shumë. Fatmirësisht më ka ndihmuar familja. Është sakrificë e madhe por ia vlen. Shpresoj që brenda këtij viti do të marr licencën për të pilotuar si profesioniste”.

Ajo ka treguar se ëndrra e saj më e madhe është hapja e një shkolle aviacioni në Shqipëri.

“Unë mendoj se në Shqipëri janë mundësitë për të hapur një shkollë pilotimi. Është terreni i duhur dhe jam e sigurt që ka kapacitetin. Ëndrra ime më e madhe është hapja e shkollës së pilotimit në Shqipëri”.