Për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme sot është dita e fundit e pushimit dimëror që zgjat nga 31 dhjetori. Nesër do të vazhdojnë gjysmë vjetorin e dytë të vitit shkollor 2020/2021 dhe do të kthehen në mësime – para pajisjeve TI ose në bankat shkollore.

Në përputhje me ndryshimet në Kalendarin për organizimin e punës së shkollave (fillore dhe të mesme), gjysmë vjetori i parë i këtij viti shkollor filloi një muaj më vonë, përkatësisht më 1 tetor, ndërsa numri i ditëve të mësimdhënies është zvogëluar nga 180 në 159.

Sot është edhe dita e fundit për dërgimin e postave elektronike në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës me komente, propozime dhe sugjerime për draft-konceptin për arsimin fillor i cili është vendosur në ueb faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ministrja, Milla Carovska të premten kumtoi se edhe pasi të mbaroj afati për komente me email (20 janar), do të vazhdojnë debatet gojarisht me të gjithë ata që janë të përfshirë në procesin për, siç tha ajo, “pastrimin e dilemave që janë imponuar me dashje ose pa dashje në opinion”.

“MASH-i dhe grupi punues që e bëri konceptin do t’i marrin parasysh komentet konstruktive dhe në periudhën tjetër do të duhet së bashku ta miratojmë konceptin e ri dhe të fillojmë në vitin e ardhshëm shkollor”, deklaroi Carovska të premten. Ajo sot do të ketë takim me drejtorët e shkollave fillore në lidhje me draft-konceptin.