Xheladin Murat

Për të trajtuar nevojën e zhvillimit, reformimit dhe të përparimit të arsimit si dhe dimensionet e tij në shoqëri, janë marrë parasysh dy mendime më të hershme. I pari, është mendimi i Adam Smitit (Adam Smith), që thotë se me arsimimin krijohet pasuria që fiksohet në personalitetin e individit. Dhe, mendimi i dytë, është i T.V. Shulc (T. W. Schulz), i cili parashtron hipotezën se arsimi është një formë e investimit te faktori njeri.
Të dyja mendimet janë drejtpërdrejti të lidhura me rolin e pedagogjisë dhe efektshmërinë e saj në projektimin e reformave arsimore dhe zbatimin e tyre praktik në shoqëri dhe institucionet edukativo-arsimore e social-pedagogjike.
Reformat në arsim janë proces shumë i gjerë, kompleks, përmbajtësor, madje me shumë qasje dhe që realizohet në nivele të ndryshme. Kësisoji, studimi i reformave në arsim është një segment me relevancë shkencore e profesionale për sistemin arsimor.. Kjo edhe për faktin se problemet arsimore (reforma arsimore, pojektimi i sistemit arsimor, aspektet zhvillimore dhe tendencat e zhvillimit të arsimit ndërlidhen me njohjen e problemeve pedagogjike. Këto imponojnë tendencën e globalizimit dhe evropianizimit të arsimit, që do të thotë arsimi të merr dimension bashkëkohor.
Në fakt kultura pedagogjike reflekton në ndryshimet dhe konceptimet arsimore, në ndryshimet dhe hartimet e strategjive arsimore. Reflektimi i kulturës pedagogjike dhe dijeve strukturore pedagogjike kanë rëndësi për cilësinë e refomave në arsim. Pedagogjia paraqitet si faktor relevant që synon zhvillim dhe ngritje profesionale e shkencore të bartësve të procesit arsimor, transformim dhe ndryshim permanent të arsimit për cilësi të avancuar të punës edukative.
Reflektimi i pedagogjisë në reformat në arsim përfshin disa shtylla themelore përkatësisht kornizën e reformave. Kjo kornizë mund të ketë këtë strukturë:
1.Arsyeja e reformës në arsim:
– Tendencat bashkëkohore botërore në arsim.
– Ndryshimet e mëdha dhe transformimet shoqërore-ekonomike.
– Zhvillimi i hovshëm tekniko-teknologjik.
– Teknologjia informatike po sjellë ndryshimin më të madh në arsim.
2.Ku ndodhin reformat:
– Organizimi, drejtimi dhe menaxhimi me institucionet arsimore.
– Planet dhe programet mësimore apo kurrikulat.
– Mësimin dhe të mësuarit.
– Teknologjinë dhe metodologjinë e punës mësimore.
– Vlerësimin dhe notimin e nxënësve dhe të arsimtarëve.
– Akcelerimi i nxënësve dhe përparimi i arsimtarëve në karrierë.
– Planifikimin dhe programimin e mësimit, modelet e mësimdhënies.
– Politikën arsimore dhe financimin e arsimit.
3.Objektivat e reformës
– Vendosja e sistemit të kontinuar për rritjen dhe sigurimin e cilësisë në arsim.
– Përshtatja me sfidat e reja.
4.Kërkesat e reformës
– Detyrat, qëllimet dhe pritshmëritë nga reforma.
– Ndryshimet në rolin dhe funksionin e nxënësit dhe të arsimtarit.
– Arsimtari si bartës i reformave, tip i ri i arsimtarit.
– Arsimtari mediator, organizues, gjurmues, demonstrues, këshillues, vlerësues, shpjegues dhe lehtësues.
– Ndryshimet e arsimtarit- a ndryshon arsimtari, sa ka ndryshuar, pse duhet të ndryshoj? Rezistenca!
– Arsimtari i suksesshëm duhet në mënyrë permanente të mësoj, të trajnohet dhe të përsoset profesionalisht.
5.Struktura e sistemit arsimor me nivelet e tij: (parashkollor, fillor, të mesëm të përgjithshëm e profesional, sipëror).
6.Për dhe kundra reformave-Frika!?
7.Reforma e reformave – qasja induktive, deduktive, subordinare dhe komplementare.
8.Kush duhet të inicoj, organizoj dhe realizoj reformat.
9.Ne dhe reformat: ku jemi, ku duhet të arrijmë.
10.Reformat në arsim përfshinë: institucionet ku planifikohen, organizohen dhe realizohen qëllime, detyra, mision dhe proces edukativ-arsimor. Këto janë: entet për edukim parashkollor,, shkollat fillore dhe të mesme, konviktet e nxënësve dhe të studentëve, fakultetet, Byroja për Zhvillimin e Arsimit, shkollat verore, mësimin në natyrë, entet për arsim të të rriturve, shtëpi fëmijsh dhe të rinjsh me karakter kulturo-arsimor dhe social, entet social-pedagogjike, universitetet popullore e të ngjashme.
Kjo kornizë kërkon ndryshime radikale në arsim në të gjitha segmentet dhe nivelet arsimore, ndërsa pedagogjia bënë artikulimin e tyre.
Përveç rolit të saj në ushtrimin e detyrave konkrete në ndihmë të edukimit dhe arsimit e të kulturimit të njerëzve, Pedagogjia rrezaton si një shkencë e derjrpërdrejt në reformat arsimore. Ndikimi dhe reflektimi i saj nuk kufizohet vetëm brenda mureve të shkollës, por ajo shtrohet në institucionet edukativo-arsimore në mënyrë të organizuar. Për reformat në arsim është shkruar dhe ka nevojë të shkruhet e të debatohet .
Koncepti i këtillë i reformës është kompleks dhe ai kërkon qasje interdisiplinare: pedagogjike-psikologjike, pedagogjike-ekonomike, metodologjike dhe sociologjike-komunikuese.
Problemet e natyrës reformuese të arsimit, që kanë një rëndësi të madhe, nuk studiohen në mënyrë të posaçme nga vetëm një disipline shkencore por nga shumica nga to si pedagogjia, didaktika, andragogjia, metodologjia, psikologjia, sociologjia. Prandaj kërkohet unifikim të qasjeve reformuese. Ky unifikim reflektohet në disa drejtime, si:
– diagnostifikimin dhe prognozimin e nevojës për reformën arsimore;
– të krijojnë dhe ofrojnë zgjidhje për çështjet me relevancë shkencore në programe, në metodologji, në qëllime dhe objektiva;
– të projektojnë zgjidhje më efikase dhe të avancuara të problemeve që kanë të bëjnë me reformën e dijes;
– të përparojnë strategjitë e të mësuarit dhe të mësimdhënies.
Reformat janë të arsyeshme dhe të domosodoshme mbase ato synojnë dhe ofrojnë ndryshime, përmirësime dhe transformim të sistemit arsimor, të sistemit të dijes dhe të vlerave, rritjen e cilësisë dhe efikasitetin e arsimit.
Ka reforma të mirëfillta dhe reforma sa për të thënë. Këto të dytat janë formale dhe nuk çojnë përpara. Prandaj në opinion ka dy lloj mendimesh për reformat:
Së pari, reforma që nuk sjellin ndryshime cilësore,janë formale.
Së dyti, reforma po, por rrënjësore, efikase, cilësore që prodhojnë risi e vlera.
Reformat në arsim duhet të ofrojnë zgjidhje afatgjate të problemeve arsimore, të shkollës e të dijes, ajo duhet të ofroj cilësi, koncept bashkëkohor të arsimit, sistem modern të dijes dhe të prodhoj vlera.
Për të realizuar reformë cilësore dhe për të realizuar synimet bashkëkohore në arsim duhet të aplikohen koncepte, strategji dhe qasje të reja pedagogjike në aftësimin e drejtuesve të institucioneve.
Përndryshe kështu siç është, pajtohem me mendimin e kolegut Lulzim Aliu se “sistemi arsimor dhe mënyra e realizimit të procesit edukativ-arsimor prodhon nxënës/student të papërgatitur me kompetenca jomjaftueshme të arritura, prindër të pakënaqur dhe punonjës të arsimit të pakënaqur”.
Çdo proces reformues duhet të rishikohet, risitë do të duhen riparë nga gjithë, të pranohen zgjidhjet dhe pastaj të bëhen pjesë e praktikës, ligjeve dhe strategjive që do të implementohen në praktikën pedagogjike
Pse e potencoj rolin e pedagogjisë në reformat arsimore? Ka shumë arsye për të. Gjithnjë e kam parasyshë faktin se pedagogjia s’është vetëm një ideal gnoseologjik dhe ushtrim i thjesht i edukimit, por është edhe një arsyetim i thellë për problemet reformuese, një programim metodologjik i qasjeve të ndryshme të veprimtarisë edukative-arsimore, një orientim për të marrë vendime të drejta dhe qëndrime praktike, është një koncept mbi zhvillimin e personalitetit, është një koncepsion orientues i veprimtarisë teorike dhe praktike të edukatorit, mësuesit. Thjesht, pedagogjia reformat në arsim i ka detyrë dhe obligim.
Në fund, pedagogët e dinë se çfarë nënkuptojnë reformat në arsim, ndërmarrjet dhe projektimet reformuese,, ata e dinë se me cilat aktivitete krijohen vlera të reja, cilat programe arsimore krijohen gjatë reformave dhe ato lehtë mund të nxjerrin një përfundim në lidhje me proceset reformuese në strukturën e vlerave në aspektet mikropedagogjike. Ndryshe, ekspertët e pedagogjisë presin që reformat të jenë objektive, cilësore dhe ngritjen e efektshmërisë në sistemin arsimor.