Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny ka dalë para një gjykate në Khimki, vetëm një ditë pasi u ndalua nga autoritetet në aeroportin e Moskës, pasi erdhi nga Gjermania, ku u trajtua për helmim. Zëdhënësja e Navalnyt, Lora Yarmysh ka postuar po ashtu një video të Navalnyt ku ai ka thënë se kjo seancë dëgjimore është “shkalla më e lartë e paligjshmërisë”. Policia e arrestoi Navalnyn, 44 vjeç, më 17 janar, teksa ai po kryente kontrollin e pasaportës në një aeroport të Moskës, pasi u kthye nga Gjermania. Avioni me të cilën Navalny udhëtoi për në Moskë paraprakisht ishte planifikuar që të ateronte në aeroportin, Vnukovo. Por, autoritetet e mbyllën këtë aeroport për fluturime hyrëse. Pas kësaj, avioni me Navalnyn zbriti në aerportin, Sheremetyevo, ku dhe ai u ndalua. Dhjetëra mbështetës të Navalnyt dolën më 17 janar në aeroportin Vnukovo për ta pritur atë. Autoritetet ruse thanë se këto tubime ishin të paligjshme dhe dhjetëra persona u arrestuan. Në Gjermania Navalny u trajtua për disa muaj, pasi në gusht të vitit të kaluar u helmua, helmim për të cilin, Navalny ka thënë se është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.