Pas njoftimit se ish-kryetari i degës së NISMA-s në Suharakë Sami Hajdaraj i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës, ish-partia e tij ka reaguar duke thënë se Hajdaraj është liruar nga pozita për shkak të pazareve politike.

NISMA ka kërkuar nga përkrahësit e tyre në qytetin e Therandës që të mos bien pre e shantazheve dhe presioneve.

“Njoftojmë opinionin publik se me propozim të degës së Nismës Socialdemokrate në Therandë, NISMA para dy dite e ka liruar nga detyra, ish kryetarin e degës, Sami Hajdaraj, për shkak të neglizhencës në çështjet organizative të degës dhe për shkak të pazareve politike. Ftojmë përkrahësit tonë në këtë qytet që të mos bien pre e shantazheve dhe presioneve të pazargjinjve, por të vazhdojnë aktivitetin e tyre në funksion të mbështetjes së projektit tonë për mbrojtjen e vlerave kombëtare. Ju bëjmë thirrje të gjitha strukturave dhe simpatizantëve të Nismës në Therandë, që të mobilizohen fuqishëm drejt qëllimit tonë të përbashkët në zgjedhjet e 14 shkurtit”.

Ndërsa, sot kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se Sami Hajdaraj, kryetari i NISMA-s iu është bashkangjitur PDK-së.