Ndërtimet pa leje në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, mbeten në harresë. Edhe pse vetë Kryeministri Zoran Zaev, premtoi se shumë shpejtë do të veprojnë ndaj ndërtimeve pa leje në këtë pjesë të kryeqytetit, për rreth gjysmë viti, raporti i Inspektoratit shtetëror për ndërtim, ku janë konstatuar së paku pesë objekte të ndërtuara pa leje, mbetet në sirtarët e Qeverisë. Edhe sot nga Qeveria thonë se Raporti nuk është shqyrtuar në seancë Qeveritare, madje pa dhënë detaje se kur mund të arrijë në rend dite ky raport.

– Advertisment –

Qeveria

“Informacioni ende nuk është shqyrtuar në seancë të Qeverisë. Pas shqyrtimit të informatës opinioni do të njoftohet me kohë”.

Në muajin tetor, vetë kryeministri Zoran Zaev deklaroi se sapo të marrin mendim nga institucionet përkatëse, do ta shqyrtojnë raportin e Inspektoratit shtetëror për ndërtim.

“Nuk është kompletuar me mendimet e të gjitha institucioneve të cilat patjetër t’i japin, që të mundet Qeveria përfundimisht të vendosë. Të gjitha procedurat janë të rëndësishme për shkak se nëse lëshojmë procedurë pa mendim përkatës atëherë mund të shkaktojë pasoja juridike. Sa të kompletohen mendimet e të gjitha ministrive përkatëse dhe institucioneve siç janë kadastra dhe të tjerat atëherë mund ta sjellim vendim- deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Nga Inspektorati shtetëror për ndërtim thonë se ende nuk kanë marrë asnjë informatë nga Qeveria, për raportin rreth ndërtimeve pa leje në Çarshinë e Vjetër.

Inspektorati Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm

“Lidhur me raportin tonë, Qeveria na njoftoi se ka kërkuar mendim nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe nga Ministria e Kulturës. Por, nuk na ka informuar se kur do të shqyrtohet raporti në seancë të Qeverisë”.

Me kërkesë të Qeverisë, Inspektorati shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm, inspektoi Çarshinë e Vjetër dhe në pesë objekte konstatoi ndërtime të paligjshme, si mbindërtim të objekteve, pjesë të shtuara në mënyrë të paligjshme dhe parregullsi të tjera. Për ndërtimet pa leje në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, nga Komuna Qendër dhe ajo e Çairit kanë deklaruar se përgjegjësia bie mbi Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, pasi Çarshia është nën kompetenca të këtij Institucioni.

Mefil Ismaili