Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ka mbajtur mbledhje elektronike ku ka miratuar vendime dhe dokumente nga fusha e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë, kabineti qeveritar, pas shqyrtimit ka miratuar nismën për lidhjen e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Pas miratimit të kësaj nisme, Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Punëve të Brendshme që të zbatojë të gjitha veprimet e nevojshme për lidhjen e kësaj marrëveshjeje me shtetin fqinj.

Kjo duke marrë parasysh që, sipas studimeve të bëra viteve të fundit nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, Kosova dhe Maqedonia e Veriut bazuar në numrin e popullsisë kanë dalë të jenë dy nga vendet me më së shumti rrezik nga ekstremizmi i dhunshëm në Evropë.

Gjithashtu, në mbledhjen Qeverisë së Kosovës janë aprovuar edhe masat për zbatimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike për vitin 2021 në vlerë prej 222 milionë e 400 mijë eurove.

E po kështu, ekzekutivi ka miratuar edhe vendimin për alokimin e parakohshëm nga ndarjet aktuale buxhetore për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas kërkesës së datës 8 janar 2020 të PZAP-së.