Lansohet programi i ri i Bashkimit Evropian që ndihmon të prekurit nga kriza pandemike COVID-19

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, së bashku me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe Save the Children, lansuan Programin e financuar nga BE ‘EU4 Mbrojtja Sociale pas krizës së koronavirusit ‘për të ndihmuar kategoritë më të prekura të përballen dhe të tejkalojnë pasojat e krizës COVID-19.

Edhe pse pandemia filloi si një krizë shëndetësore, shumë shpejt ajo u shndërrua në një krizë shumë-dimensionale me implikime të mëdha socio-ekonomike, duke goditur më shumë ata që tashmë janë në kushte më të rënduara ekonomike.

Të dy vlerësimet e bëra rreth ndikimit Socio-Ekonomik, që u realizuan nga UNDP në bashkëpunim me UN Women dhe UNFPA – të cilat do të lansohen javën e ardhshme – tregojnë ulje të mëtejshme të të ardhurave, rritje të humbjes së vendeve të punës, ulje të shpenzimeve për shëndetin dhe arsimin dhe një rritje të dhunës në familje.

Tre projekte në vlerë të përgjithshme prej 11.8 milion euro, të nënshkruara sot, do të ofrojnë mbështetje emergjente, mbrojtje sociale dhe rimëkëmbje të hershme socio-ekonomike për grupet e ndjeshme sociale në Kosovë.

Maria Suokko, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së theksoi rëndësinë e projektit për t’u arritur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë: “Tani kemi një mundësi unike, me mbështetjen e BE-së, për t’u dhënë një lehtësim atyre në situata më të rënduara dhe atyre që janë margjinalizuar – pavarësisht nga përkatësia etnike ose ndarja urbane/rurale. Unë do të doja të falënderoja nga zemra të gjithë ekipin e Zyrës së BE-së në Kosovë për besimin në UNDP për tu ofruar këtë mbështetje. Ky veprim synon të përmirësojë qasjen në mbrojtjen e integruar sociale për më të rrezikuarit. Ne do të punojmë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Qendrat e Mirëqenies Sociale për të rritur shënjestrimin dhe ofrimin e ndihmës. Ne

gjithashtu do të ndihmojmë në trajnimin e një brezi të ri të punonjësve socialë, së bashku me Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara. Edhe mbështetja e drejtpërdrejtë për gratë dhe vajzat është një pjesë integrale e veprimit, dhe ne do të angazhojmë UN Women si partnerin tonë”.

“Me fonde shtesë dhe kohëzgjatje të projektit, IOM do të vazhdojë angazhimin për të ndihmuar më të prekshmit dhe jo vetëm që do të mbështesë shumë më shumë përfitues sesa ishte parashikuar fillimisht, por gjithashtu do t’i përgjigjet në mënyrë adekuate nevojave të menjëhershme, të ndërmjetme apo afatgjate të grupeve, duke përmirësuar qëndrueshmërinë dhe mbështetur rimëkëmbjen e të gjithë komunitetit. Ne do të vazhdojmë të punojmë në koordinim të ngushtë me donatorin e programit, Bashkimin Evropian dhe partnerin e programit, Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, zyrtarë komunal dhe partnerë lokal” – tha Anna Rostocka, Shefja e Misionit të IOM-it në Kosovë.

Që nga shpërthimi i COVID-19, UNDP në Kosovë, si Agjenci kyçe e Ekipit të OKB-së në Kosovë (UNKT), është duke mbështetur qytetarët dhe institucionet e Kosovës që të përgatiten, t’i përgjigjen dhe të rimarrin veten nga pandemia duke u përqëndruar veçanërisht në më të prekurit. Ne kemi zhvendosur me nguti fokusin, duke reaguar me shpejtësi dhe efikasitet dhe duke riorientuar programin tonë për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për të ndaluar përhapjen e virusit, mbrojtjen e njerëzve nga pandemia dhe ndikimet negative gjatë shpërthimit dhe për të ndihmuar në ripërtëritjen ekonomike dhe sociale në muajt në vazhdim.

Për më shumë rreth planit të Kombeve të Bashkuara për reagim socio-ekonomik në Kosove, vizitoni: https://unsdg.un.org/sites/default/files/2020-10/KSO_Socioeconomic-Response-Plan_2020.pdf