Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar të martën se nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur edhe 9 persona. Dy viktima janë shënuar në Prishtinë dhe nga një në Drenas, Gjakovë, Kamenicë, Mitrovicë, Prizren, Suharekë dhe Vushtrri.

Bazuar në raportin ditor të IKSHPK-së janë testuar edhe 1.729 mostra të dyshuara, prej të cilave 294 kanë dalë pozitive në koronavirus.

Të shëruar nga sëmundja janë regjistruar edhe 281 pacientë.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 56.412 të prekur nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Prej tyre 1.420 pacientë kanë vdekur ndërsa 49.713 janë shëruar.

Të martën është raportuar se raste aktive aktualisht janë 5.279.