Vendimi negativ nga komuna për hapjen e minierës mund të anulohet nga Ministria e Ekonomisë dhe pushteti qendror të japë një koncesion për investitor privat. Ky është një nga nenet kontestuese në Ligjin e lëndëve të para minerale që mbrojtësit e ambientit kërkojnë të hiqet ose të ri-saktësohet.

– Advertisment –

“Qeveria mund të lëshojë mendim pozitiv për një koncesion të caktuar, përkundër mendimeve negative nga një numër i madh i institucionesh profesionale të shtetit, si dhe nga vetëqeverisja lokale. Me të drejtë diskrecioni të ministrit”, tha Liljana Popovska nga”Instituti i gjelbër”.

Kreu i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale Petre Shilegov për Alsat tha se vendimi i dhënë nga komuna nuk është detyrues për organin që e merr vendimin. Por, nuk është e dobishme politikisht për asnjë bartës posti që të hyjë në konflikt me qytetarët apo qeverisjen lokale.

“Mendoj se nëse veprohet në të kundërtën e mendimit të qytetit, apo kundër mendimit të qytetarëve, do të ketë problem personi, përkatësisht organin që e merr vendimin. Nuk është mirë të shkohet kundër interesave të qytetarëve”, pohoi Petrev Shilegov, kryetar i BNJVL-së.

Ministri i ekonomisë Bekteshi thotë se koncesionet për funksionimin e minierave nuk lëshohen pa dokumentacionin e duhur të përcaktuar në ligj kurse për mendimin e komunës ai thotë se mund të mos pranohet nëse nuk ka shpjegim të qëndrueshëm.

“Kur na dërgojnë mendimet neve, e shkruajnë vetëm një fjali. “Ne japim mendim negativ” dhe pse jepni mendim negativ, ose “japim mendim pozitiv” dhe pse jepni mendim pozitiv”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Përveç këtij neni, shoqatat e mjedisit kërkojnë që në ligjin e ri të përpunohen edhe 400 pika të tjera që janë problematike.