Interi e ka mposhtur Juventusin 2:0, në atë që ishte fitorja e parë për zikaltrit kundër bardhezinjve që prej shtatorit të vitit 2016 dhe e para për Antonio Conten kundër ish-klubit të tij.

Arturo Vidal dhe Nicoli Barella shënuan për triumfin e parë për Interin pas dy ndeshjeve pa fitore, të dielën në San Siro,.

Skuadra e Antonio Contes po vinte nga një humbje tronditëse kundër Sampdorias dhe pas brazimit zhgënjyes me Romën në dy ndeshjet e fundit, dhe triumfi ndaj rivalit të drejtpërdrejt për titull ishte me patjetër për t’u deklaruar si kandidat i vërtetë për titull.

E gjitha nisi mirë për zikaltrit, të cilët e mbizotëruan plotësisht skuadrën e Andrea Pirlos që nga fillimi i takimit.

Vidal e kaloi Interin në epërsi kundër ish-klubit ku i kaloi tri sezone dhe e fitoi titullin në Serie A, pas vetëm 12 minutave lojë, kur shënoi me kokë pas një harkimi fantastik nga Barella.