Qeveria në seancën e 41-të të djeshme e ka shqyrtuar Planin kombëtar për Kovid-19 vaksinimin në vend. Vaksinimi i popullatës do të zbatohet në tre faza, ku janë përfshirë kategori të ndryshme të qytetarëve. Fazat do të jenë në pajtim dhe varësisht nga arritja e vaksinave dhe grupeve të ndryshme prioritare për vaksinim, kumtoi sot në konferencën për shtyp, zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

“Tre grupet kryesore janë prioritare me qëllim që të sigurohet funksionimi i sistemit shëndetësor, të mbrohen personat me rrezik më të madh nga sëmundja, komplikimet dhe vdekja dhe të mbahen shërbimet themelore të infrastrukturës kritike”, shtoi Hoxha.

Nga pikat e tjera të cilat dje janë shqyrtuar në seancën qeveritare, Hoxha informoi se Qeveria e ka miratuar edhe Programin për reforma ekonomike 2021 – 2023, i cili, siç tha, deri nga fundi i kësaj jave do të parashtrohet deri te Komisioni Evropian.

Zëdhënësi i Qeverisë kumtoi se është miratuar edhe Programi vjetor për ndërtim, rikonstruim, rehabilitim, mirëmbajtje dhe mbrojtje të rrugëve shtetërore për vitin 2021 të Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore (NPRRSH), i cili në pjesën e investimeve këtë vit ka buxhet më të lartë për 4.000.000.000 denarë krahasuar me vitin e kaluar.

Hoxha theksoi se Qeveria miratoi gjithsej 80 milionë denarë për zgjidhjen e gjendjes me Liqenin e Dojranit dhe Prespës. Janë miratuar mjete me vlerë prej 40.000.000 denarë për komunën e Dojranit, për zgjidhjen e problemit me gjendjen e Liqenit të Dojranit dhe 40.000.000 denarë për Komunën e Resnjës, për zgjidhjen e problemit me gjendjen e Liqenit të Prespës.