Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së si dhe kryeministër në detyrë, Avdullah Hoti tha se personat e dënuar për çfarëdo vepre penale nuk duhet të bartin asnjë post shtetëror.

Hoti deklaroi se Lëvizja Vetëvendosja po mundohet të bëjë kauzë edhe në këtë rast.

“Personat e dënuar për vepra penale nuk duhet të bartin asnjë post shtetëror. Vendimi sa e di nuk thotë se i ndalohet kandidimi për poste qeveritare Kurtit, por logjika besoj që çon në atë drejtim. Logjika është që një person që është dënuar për vepra penale, ndoshta për 14 euro apo vepra të rënda penale, unë besoj për mendimin tim se nuk mund të jetë bartës i përgjegjësive politike në çfarëdo niveli, pra besoj se është vendosur kësisoj. Mendoj se s’duhet të jetë në asnjë nivel drejtues një person i tillë”, deklaroi Hoti në Rubikon.

Gjithashtu Hoti deklaroi se pavarësisht vendimit të Kushtetueses, nëse shikohen gjërat nga aspekti i integritetit të një personi, duhet të kihen parasysh këto për shkak të përgjegjësive që do të bart ky person në kuadër të institucioneve.