Uji në liqenin e Ohrit po pakësohet vit pas viti dhe shkak për këtë është bërë hapja e portave për HEC-in në Strugë të Maqedonisë së Veriut. Ekspertet thonë se duhet ndërhyrë sa më parë.
Liqeni i Ohrit pjesë e trashëgimisë natyrore të UNESCO-s po përballet me një fenomen të rrezikshëm. Për të 4-in vit radhazi vihet re tërheqja e ujit përtej normale të lejuara.

Përpos fenomeneve natyrore, në pakësimin e ujit të liqenit ka ndikuar një hidrocentral në Strugë, në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Thatësira e tejzgjatur përbën një faktor madhor natyror, faktor tjetër është përdorimi i ujit të liqenit si burim për lumin Drin sepse ka një komandim, ka disa porta në bregun e liqenit, pranë qytetit të Strugës ku bëhet komandimi i daljes së ujit. Natyrisht pranë këtij pozicioni ndodhet një HEC, në pjesën e RMV, interesat e prodhimit të energjisë kanë bërë që të bien edhe më shumë niveli i ujit në liqen”, shprehet drejtori i Zonave të Mbrojtura Mihallaq Qirjo.

Qirjo pranon se gjatë viteve të fundit uji në liqenin e Ohrit është tërhequr rreth 1 metër nga bregu.

“Niveli bazë që konsiderohet si mesatare normale është 695 metra mbi nivelin e detit, natyrisht ka kompensime ulje dhe ngritje të nivelit. Në këtë periudhë bëhet fjalë për një amplitudë rreth një metër”, u shpreh ai.

Eksperti mjedisit Arian Merolli tha në një bisede telefonike tha se ky fenomen sjell pasoja negative mbi florën dhe faunën e liqenit duke humbur kështu vlerat për te cilat mbrohet nga UNESCO. Ngritja e një grupi teknik bilateral mes dy vendeve për menaxhimin e ujërave, shihet nga ekspertët si hapi i parë për shpëtimin e liqenit.