Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska ka mohuar se drejtorët dhe mësuesit po iu bëjnë presion maturantëve të cilët po bojkotojnë mësimin. Ajo theksoi sërish se ka presion mes vetë nxënësve për bojkot të mësimit, transmeton Alsat.

“Numri i nxënësve që bojkotojnë mësimin po bie çdo ditë , edhe dje kam apeluar që prindërit dhe mësimdhënësit të kenë kujdesë për nxënësit që janë nën presion nga moshatarët. Më shumë se 14 mijë nxënës janë paraqitur për maturë shtetërore”, tha mes tjerash Carovska.

Lidhur me kërkesat e maturantëve për të ndryshuar konceptin e maturës shtetërore, Carovska tha se koncepti është miratuar në fillim të vitit dhe se nuk do të ndryshojë.

“Koncepti për maturën shtetërore miratohet në fillim të vitit, është e qartë dhe në bazë të kësaj metodologjie realizohet. Çdo nxënës që vullnetarisht është paraqitur për provim të maturës, merret si një person që do të paraqitet ditën e realizimit të provimit”, theksoi Carovska.

Ndryshe, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme mbeten në qëndrimin për shkurtimin e materialit dhe zvogëlimin e lëndëve për maturën shtetërore.