Premtimi parazgjedhor i LSDM-së në pushtet për blerjen e stazhit për dalje në pension do të presë edhe disa vite. Ministrja e Punës dhe politikës sociale Shahpaska thotë se para se të miratohet ky ligj, ka prioritete tjera. Ajo nuk deshi të tregojë nëse ka filluar puna rreth ligjit të paralajmëruar për blerjen e stazhit, por thotë se deri në vitin 2024 ligji do të hyjë në fuqi.

– Advertisment –

“Së pari, duhet të krijohet një regjistër qendror i të gjithë personave të siguruar në vend. Është mjet shumë i rëndësishëm që do të menaxhohet nga një organ i veçantë, qoftë ai brenda Ministrisë së Punës apo në mënyrë të pavarur, por me rëndësi është korniza të plotësohet. Paralelisht me këtë deri në qershor do të duhet të miratohet edhe Ligji i ri për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Të gjitha zgjidhjet ligjore që janë pjesë integrale do të lëvizin përpara’ deklaroi Jagoda Shahpaska – Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Lidhur me Ligjin për pensionimin e obligueshëm të qytetarëve në moshën 64 vjeç, ministri u ankua se propozimi është bllokuar në Parlament nga opozita. Është në lexim të dytë, por opozita ka paraqitur rreth 500 amendamente për ta plotësuar të njëjtin. Qëndrimi i Shahpaskës është se bëhet fjalë për lëvizje për ta bllokuar miratimin e këtij ligji. Shifrat jozyrtare janë se 6000 qytetarë duhet të dalin në pension këtë vit, por nuk ka informacion mbi numrin e saktë të atyre që kanë vendosur të vazhdojnë të punojnë. Sidoqoftë, fondi pensional thotë se ligji i ri që është në proces nuk do të jetë barrë e rëndë financiare. Pensioni i obligueshëm në moshën 64 vjeçe nuk do të zbatohet për punonjësit në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit të lartë.