Joe Biden do të nënshkruajë një dekret që u kërkon agjencive federale të blejnë produkte amerikane, me qëllimin për të favorizuar prodhimin kombëtar dhe për të ruajtur vendet e punës, duke iu rikthyer një teme shumë të dashur për paraardhësin e tij, Donald Trump, njoftoi këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë.

“Ky dekret parashikon të rrisë investimet në industritë e prodhimit dhe krijimin e vendeve të punës me qëllim për t’u ringritur”, konfirmoi një zyrtar i administratës Biden për gazetarët.

“Objektivi është gjithashtu të drejtojë agjensitë federale për të eliminuar boshllëqet ligjore të shfrytëzuara nga kompanitë që prodhojnë në SHBA vetëm një pjesë të produkteve të propozuara për qeverinë”, shtoi ai.

Urdhri i ri ekzekutiv ka për qëllim të zvogëlojë mundësinë e anashkalimit të rregullave që kërkojnë nga qeveria federale për të vendosur me përparësi blerjet e bëra në SHBA.