Bashkim Aliu

Politizimi i gjyqësorit është njëri nga problemet më kruciale me të cilin ballafaqohen shtetet e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm, ngase kjo sëmundje është prezente në masë të madhe, në të gjitha shtetet, ku ende sundon mendësia totalitare dhe autoritare, gjë që reflekton negativisht jo vetëm në planin politik, por edhe në atë social, ekonomik, ndëretnik, ndërfetar, si dhe në shumë segmente tjera të shoqërisë. Pikërisht, ky segment, pra politizimi i gjyqësorit, nga ana e institucioneve përkatëse të UE-së, ku vendet e Ballkanit Perëndimor aderojnë të integrohen, theksohet si një nga dështimet më të dhimbshme të aparatit qeveritar në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pa gjyqësor të pavarur dhe larg kthetrave të politikës, nuk mund të flitet për shoqëri stabile dhe prosperuese, aq më tepër për shtet ligjor. Pikërisht politizimi i gjyqësorit është një nga tiparet më të theksuara të detektimit të shtetit të kapur, që në tërësinë e tij prodhon shfaqje të cilat vijnë si rrjedhojë e çrregullimit të inteligjencës emocionale të politikbërësve të epokës, e cila, ende vazhdon të cilësohet si “epoka e tranzicionit”.

Politizimi i gjyqësorit është një nga rrëfimet më të dhimbshme për shqiptarët në trojet e tyre etnike në Ballkan, qoftë në Shqipëri, apo në trojet tjera etnike të cilat gjenden në kuadër të shteteve tjera. Kjo, për faktin e prodhimit të mekanzimave bizare të këtij fenomeni që nga koha e Jugosllavisë komuniste dhe regjimit komunist në Shqipëri, ku shqiptarët kanë qenë objekt i proceseve të montuara, gjykimeve skajshmërisht abuzive, vendimeve të padrejta dhe vuajtjeve të gjata nëpër burgje. Megjithatë, protagonizmi albanofob përmes gjyqësorit të politizuar, vazhdoi edhe më tutje, si në rastin e ripushtimit serb të Kosovës nga krimineli Millosheviq, ashtu edhe në rastin e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe gjetiu. Ky fenomen, çdo herë ka prodhuar efekte tragjike për shqiptarët, dhe nuk ka të ndalur edhe më tej. Kështu, edhe në shekullin XXI, konkretisht në Maqedoninë e Veriut, jemi dëshmitar të efekteve tragjike të sistemit gjyqësor, të kontrolluar nga politika albanofobe, për shqiptarët. Gjyqësori i politizuar dhe albanofob, e prodhoi rastin e mirënjohur të Sopotit, kur burra të pafajshëm përfunduan në burg, pa fakte, pa dëshmi dhe pa prova valide. Megjithatë, ata vuajtën dënim pa pikë faji pse ishin shqiptar, ndërkaq ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i aukuzuar në shumë raste dhe i dënuar për disa prej tyre, u la të shëtitet në korzon e Budapestit në emër të arratisjes nga drejtësia. Dhe tash, si duket, epilog të njejtë do të ketë edhe rasti “Monstra” ku akuzohen disa shqiptarë për vrasje të pesë pjestarëve të komunitetit maqedon në liqenin e Smillkovës, rast ky që pati rrjedhë të çuditshme për shkak deklaratave të kryeministrit aktual të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili derisa ishte në opozitë, pretendonte se ka prova që do ta zbardhin të vërtetën e rastit  “Monstra”, por, pasi kaloi në duar të ish PSP-së, çështja në fjalë po merr kahje tjetër. Këtu, përsëri u rikujtohen shqiptarëve kujtimet e freskëta,  si dhe ende aktuale të rastit të Sopotit dhe vendimeve të padrejta ndaj tyre. A thua vallë edhe rasti “Monstra” do ta ketë epilogun e njetë, në veçanti tash, kur zërat që thonin se posedojnë dëshmi që do ta zbardhin të vërtetën e rastit në fjalë, janë shuajtur dhe lakohen. Edhe sa do të duhet shqiptarët të vuajnë burg pa të drejtë, me vite të tëra, e pastaj të kumtohet në opinion se janë gjykuar padrejtësisht?! Këtu, faji është edhe te faktori politik shqiptar, ngase vakumi i elitave dhe prurjeve të reja kualitative në subjektet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, është një nga faktorët që e ka shkaktuar këtë realitet të hidhur për shqiptarët edhe në kohën tonë.

Prizmi i rrëfimit kur’anor për Jusufin, paqja e Allahut qoftë mbi të

Politizimi i gjyqësorit, nuk është një problem i ri me të cilin ballafaqohen njerëzit në kohën më të re, por, rrënjët e tij janë thellë në histori. Me këtë rast, ne do të thirremi vetëm në një nga rastet e kohërave më të lashta, atë të rrëfimit të Kur’anit për Jusufin, paqja e Allahut qoftë mbi të, për t’i kuptuar efektet negative, bile edhe tragjike të këtij fenomeni.

Kur’ani rrëfen se i dërguari i Allahut, Jusufi, ishte një nga viktimat më të theksuara të gjyqësorit të kapur, gjykimit të padrejtë dhe mbylljes së syve para fakteve. Marrë parasysh se rasti në fjalë kishte të bëjë me familjen mbretërore të kohës së tij, me plot të drejtë mund të thuhet se kemi të bëjmë me fenomenin e gjyqësorit të politizuar në rastin e Jusufit, paqja e Allahut qoftë mbi të, edhe pse drejtësinë e ndante vetë monarku në rastin në fjalë, e jo dikush tjetër.

Jusufi, paqja e Allahut qoftë mbi të, pas shumë peripecive që përjetoi në jetën e tij, përfundoi si skllav në oborrin mbretëror në Egjipt. Por, pasi ishte shumë i bukur, gruaja e mbretit u dashurua në të dhe deshi ta detyroj të bëjë prostitucion me te. Allahu i Madhërishëm e mbrojti Jusufin, dhe ai nuk pranoi. E kundërshtoi ashpër gruan në fjalë, dhe iku nga ajo. Por, derisa ajo tentonte ta detyroj për prostitucion, dhe ai e largonte dhe ikte prej saj, ajo ia shkyu këmishën. Në ndërkohë, erdhi burri i saj me një person tjetër, dhe e panë këtë skenë të pahijshme. Me të parë burrin, gruaja u kthye nga agresor në viktimë, dhe filloi të bërtasë për ndihmë, ngase thoshte se Jusufi e kishte sulmuar. Mbreti, me qëllim që mos turpërohet, e dënoi Jusufin me burg, edhe pse Jusufi ishte i pastër dhe nuk kishte prova për një gjë të tillë. Por, ja, Jusufi pësoi nga gjykimi i padrejtë i mbretit, dhe u dasht të vuaj disa vite burg, edhe pse ishte i pafajshëm.

Pa mos hyrë në detaje të tjera të kësaj ngjarje, do të nënvizojmë disa efekte negative të gjyqësorit të politizuar dhe të padrejtë, që kuptohen nga rrëfimi i Jusufit, paqja e Allahut qoftë mbi të.

-Rastet e montuara: Gjyqësori i politizuar prodhon raste të montuara, ngase epilogu i rastit dihet paraprakisht. Gruaja e kreut të pushtetit në Egjipt, në kohën e Jusufit, e montoi këtë rast, ngase e dinte se drejtësia do të ndahet në anën e saj. Sikur ta dinte se në atë vend gjykohet me drejtësi, ajo nuk do të guxonte ta bënte këtë veprim. Ajo ishte pjesë e oborrit mbretëror, i takonte klasës sunduese, dhe ishte krejt e kuptueshme se do ta fitoj rastin. Ashtu edhe ndodhi. Ajo, edhe pse ishte fajtore, u lirua, ndërkaq Jusufi, edhe pse ishte i pafajshëm u dënua me burg.

Mijëra vite më vonë, rastet e montuara u shndërruan në mënyrë efikase për hakmarrje. Rastet e montuara kanë qenë mekanizmi më i theksuar i pushtetit jugosllav për ndëshkimin e shqiptarëve, në veçanti intelektualëve. Gjatë pushtetit jugosllav, ka shumë raste kur shqiptarët janë dënuar dhe ndaj tyre është ushtruar dhunë, me raste të montuara. Shumë intelektualë dhe patriotë shqiptarë kanë qenë  viktimë e rasteve të montuara të pushtetit jugosllav dhe pushtetit komunist në Shqipëri. Kjo vazhdoi edhe më pas, pra në periudhën e tranzicionit, nga pushtetarë tjerë, të cilët vazhduan ta ushtrojnë zanatin e vjetër të prindërve të tyre biologjik dhe ideologjik, duke dënuar shqiptarë me raste montuara. Sopoti është një shembull tipik, ndërkaq a do ta ketë këtë epilog edhe rasti “Monstra”, pritet të shihet.

-Shtrembërimi i fakteve: Gjyqësori i politizuar i shtrembëron faktet dhe nuk gjykon në bazë të fakteve të vërteta. Kështu, në rastin e Jusufit, personi i cili e shoqëronte mbretin, gjykoi drejtë kur i tha mbretit se e vërteta e këtij rasti, kuptohet nga prova materiale, e që kishte për qëllim anën nga ishte e grisur këmisha e Jusufit. Nëse këmisha ishte e grisur nga ana e shpinës, atëherë kjo është provë se gruaja e ka sulmuar, e ai ka ikur. Por, nëse këmisha ishte e grisur nga ana e gjoksit, atëherë, Jusufi ka sulmuar, e gruaja ka tentuar ta largoj. Kur e panë, këmisha ishte e grisur nga ana e shpinës. Kjo ishte provë materiale bindëse se Jusufi nuk ishte fajtor, por gruaja e kishte sulmuar. Megjithatë, kreu i pushtetit të atëhershëm të Egjiptit, pra mbreti, nuk e morri parasysh këtë provë materiale që e vërtetonte pafajsinë e Jusufit, por vendosi ta shtrembëroj këtë provë, dhe për ta mbrojtur autoritetin e vet, e futi Jusufin në burg.

Gjyqësori i politizuar mijëra vite më vonë, pra në shekullin XXI, në të njejtën mënyrë i shtrembëron faktet dhe i shpall shqiptarët fajtor me dëshmi të rrejshme dhe fakte të shtrembëruara, si në rastin e Sopotit, dhe i dërgon të vuajnë burg pa pikë faji, sikur që veproi para mijëra vjetësh mbreti i Egjiptit me Jusufin, paqja e Allahut qoftë mbi të.

-Dënime të padrejta dhe vuajtje: Gjyqësori i politizuar prodhon dënime të padrejta, vuajtje të të pafajshmive, paraburgim dhe tortura. Kështu ndodhi me Jusufin, paqja e Allahut qoftë mbi të. Ai u burgos pa të drejtë, dhe vuajti dënim pa pikë faji. Kjo flet se edhe njerëzit e drejtë vuajnë në këtë botë përplot çmenduri dhe njerëz pa njerëzi, e të egërsuar. Kështu pësuan edhe shqiptarët mijëra vite më vonë, vuajtën burg dhe mbi ta u ushtrua dhunë nga gjykata dhe vendime raciste, pa asnji provë e fakt. Të freskëta janë vuajtjet e shqiptarëve në burgjet e regjimit jugosllav, regjimit komunist në Shqipëri, por edhe sot, ka shqiptarë që vuajnë në burgjet e Maqedonisë së Veriut, pa pikë faji.

Rasti i Sopotit dëshmoi botërisht se shqiptarët gjykohen padrejtësisht. Por, a thua këtë fat do ta ketë edhe rasti “Monstra”?! Shpresojmë e vërteta të zbardhet dhe të pafajshmit mos të vuajnë.