Amerikanët mirëpresin sot një president të ri në Shtëpinë e Bardhë. Joe Biden do të bëjë betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Ceremonia e inaugurimit, sipas traditës, do të zhvillohet në shkallët e Kongresit amerikan, në mesditë – sipas kohës lokale. Biden ka mbërritur tashmë në Uashington, së bashku me gruan e tij, Jill. Betimin do ta bëjë sot edhe nënpresidentja e zgjedhur amerikane, Kamala Harris.

– Advertisment –

Presidenti në largim Donald Trump ka paralajmëruar qysh më herët se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden. Ai së bashku me zonjën e parë, Melania, lëshuan Shtëpinë e Bardhë pak minuta pas orës 08:00, sipas kohës lokale. Ata ndaluan në bazën “Joint Base Andrews” në Merillend, ku u pritën nga anëtarë të tjerë të familjes Trump dhe mbështetës të tyre.

E ardhmja e këtij vendi asnjëherë nuk ka qenë më e mirë. I uroj administratës së re fat dhe sukses të madh. Mendoj se do të kenë sukses, sepse e kanë bazën për të bërë diçka vërtetë spektakulare. Gjërat që kemi bërë, kanë qenë të pabesueshme dhe nuk do t’i bëja pa ju. Mirupafshim! Ju duam. Do të kthehemi në ndonjë formë -u shpreh Donald Tramp, President në largim.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka në plan të nënshkruajë dhjetëra urdhra ekzekutivë për të përmbysur disa nga vendimet e presidentit, Donald Trump mbi migracionin, ndryshimin e klimës si dhe për të shtuar përgjigjen e qeverisë ndaj krizës së koronavirusit. Biden do të synojë një plan shpenzimesh prej 1.9 trilion dollarësh në mënyrë që të përshpejtohet shpërndarja e vaksinave kundër koronavirusit dhe të mbështesë një lehtësim ekonomik për miliona amerikanë të dëmtuar nga pandemia. Shanset që ky plan të fitojë mbështetjen në Kongres, janë të paqarta. Shumë republikanë kanë kundërshtuar përdorimin e parave të huazuara për të paguar stimulin.

Bashkimi Evropian bëri thirrje për një fillim të ri të raporteve me SHBA-në. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, foli për nevojën e një “pakti të ri” në marrëdhëniet transatlantike dhe e ftoi Bidenin për një samit SHBA-BE, që do të mbahej në Bruksel.

“Sot është mundësia e rinovimit të raporteve transatlantike, të cilat kanë pësuar gjatë katër vjetëve”, tha Michel, duke shtuar se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të punojnë së bashku për paqen, sigurinë, prosperitetin, lirinë, të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, foli me tone të ngjashme.

“Ky agim i ri në Amerikë është momenti që kemi pritur”, tha von der Leyen.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë fuqitë kryesore tregtare në botë dhe kanë lidhje të ngushta kulturore, historike, biznesi dhe mbrojtjeje, por presidenti në largim i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë përpjekje ta shmangë BE-në. Bajden vjen në krye të SHBA-së pasi shërbeu si senator për 3 dekada e më vonë si zëvendëspresident i ish Presidentit, Barack Obama.

Anesa Salihu