Naser Ziberi nga dita e hënë do të fillojë detyrën si Avokat i ri i Popullit, ndërsa opozita shqiptare thotë se sapo të marrë detyrën Ziberi, do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të zgjedhjes së tij në këtë post. Koalicioni ASH Alternativa këmbëngulë se zgjedhja e Ziberit është paradoksal e kundër-kushtetues dhe pret nga Kushtetuesja që ta konfirmojë këtë gjë.

“Në fushatën e fundit zgjedhore bënte ftesë publike të votohet numri 9, në fushatën e fundit zgjedhore bënte fushatë bashkë me ministrat, deputetët, tërë establishmentin e BDI-së, që dmth ishte pro atyre, ndërsa duhet ta mbrojë popullin prej institucioneve, udhëheqës të të cilëve janë pikërisht ato persona me të cilat bënte fushatë. Pra këtu s’ka kurrëfarë logjike. Nuk ka njeri normal që beson se është apolitik. E pikërisht sepse Ligji për Avokat të Popullit kërkon që personi të jetë plotësisht apolitik ne do ta dorëzojmë këtë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Halil Snopçe, ASH.

Nga ana tjetër, vetëm disa dita para se të shkojë në zyrën e Ombudsmanit, Ziberi tha se nuk do ta refuzonte BDI-në nëse do ta vendoste në krye të ekzekutivit për 100 ditët e fundit të mandatit të Qeverisë. Megjithëse e pranoi se do të ishte zhgënjyese që ta linte postin e Avokatit të Popullit për një post tjetër. Ndryshe, më 26 janar Kuvendi e emëroi Ziberin si Avokat të ri të Popullit. Disa organizata joqeveritare reaguan, ndërsa TV Alsat raportoi në vazhdimësi për një procedurë të vonuar dhe jotransparente të shpalljes së konkursit për zgjedhjen e të njëjtit. Konkursi u shpallë vetëm 3 javë para se t’i skadonte mandati Avokatit të deritanishëm, ndërsa sipas ligjit duhej shpallur të paktën 3 muaj më parë.

Anesa Salihu