Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe fytyra publike e çështjeve të Covid-19 foli për New York Times në lidhje me sfidat me të cilat u përball ndërsa shërbeu nën ish-Presidentin Donald Trump gjatë pandemisë.

Fauci tha se ai filloi të merrte kërcënime me vdekje në 28 mars. Familja e tij gjithashtu filloi të merrte kërcënime të drejtpërdrejta.

“Ishin ngacmimet kundrejt gruas sime dhe veçanërisht fëmijëve të mi, që më shqetësoi më shumë se gjithçka tjetër,” tha Fauci. “Ata tashmë e dinin se ku punojnë fëmijët e mi, ku jetojnë. Kërcënimet vinin drejtpërdrejt në telefonat e fëmijëve apo në shtëpitë e fëmijëve të mi.”

Fauci, 80 vjeç, është përballur me reagime të ashpra për promovimin e sigurisë publike gjatë pandemisë deri në pikën ku ai duhet të ketë me vete agjentë federalë kur shkon për një shëtitje. Trump e përçmoi atë publikisht në shumë raste dhe kishte turma që brohorisnin “Fire Fauci!” në tubime.

Pavarësisht se nuk u përball fizikisht me dikë, Fauci përjetoi një moment mjaft shqetësues.

“Një ditë mora një letër me postë, e hapa dhe një masë pluhuri u përhap në të gjithë fytyrën time” tha ai. “Kjo ishte shumë, shumë shqetësuese për mua dhe gruan time.

“Punonjësit e sigurisë ishin aty. Ata më thanë: ‘Mos lëviz, rri në dhomë’.”

Substanca u gjet e padëmshme pas testimit, por Fauci mbeti i tronditur.

Fauci tani po shërben si këshilltar kryesor mjekësor i administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Joe Biden, duke shënuar presidentin e shtatë me të cilin ka punuar gjatë karrierës së tij.