Një ditë pas mbylljes së debatit parlamentar mbi propozim-Ligjin për regjistrimin e popullsisë, mbetet i panjohur termini se kur i njëjti do të vendoset në rend dite për votim. LSDM-ja thotë se vazhdimi i seancën është kompetencë e kryeparlamentarit, por është e bindur se kjo do të ndodhë së shpejti. Nga LSDM-ja thonë se ligji ka mbështetjen e deputetëve të shumicës dhe i bën thirrje opozitës maqedonase të mos frikësohet nga procesi.

– Advertisment –

“Pas gjashtë disfatave zgjedhore mund të kuptojmë se ka frikë nga qytetarët, por nuk duhet të frikësohet. Gjatë regjistrimit nuk votohet, ai është operacion statistikor. Mjaftë me bllokada irracionale dhe partizime! Regjistrimin e suksesshëm Mickoski mund ta konsiderojë si një humbje të tij, por regjistrimi nuk është proces zgjedhor, aty nuk ka humbës e as fitues”, pohoi Stefan Vasev, nga LSDM.

VMRO DPMNE-ja ka akuzuar partitë në pushtet se kanë bërë pazarllëqe politike për falsifikimin e regjistrimit të popullsisë. VMRO-ja hodhi poshtë zërat për bojkot eventual të regjistrimit të popullsisë, me pretendimin se do të ishte e palogjikshme t’i bënte thirrje qytetarëve të mos regjistroheshin dhe për këtë të paguanin gjoba të larta. Nga partia e Mickoskit, e cila ende pa u miratuar ligji paralajmëroi iniciativë për shfuqizimin e të njëjtit, thonë se vazhdojnë me mbledhjen e nënshkrimeve.

“VMRO DPMNE ka filluar procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve, me çka do të kërkohet shfuqizim i Ligjit për regjistrim, i këtillë siç është planifikuar, ligj pa metodologji dhe me indikacione për operacion politik dhe jo statistikor. Ky veprim do të bëhet ashtu siç duhet, përmes njësive kompetente të Ministrisë së Drejtësisë, njerëzit mund të nënshkruhen në njësitë e decentralizuara nëpër qytete dhe numri i të nënshkruarve nuk mund të nënvlerësohet nga shumica”, tha Naum Stoilkovski, nga VMRO DPMNE.

Ndryshe, regjistrimi i popullsisë ka shkaktuar debat të ashpër në ligjvënës për disa ditë me radhë. Pushteti hodhi poshtë amendamentet e propozuara nga opozita, e cila ndër tjerash kërkonte shtyrjen e regjistrimin edhe për një vit, shkaku i pandemisë. Nëse propozim ligji aktual miratohet, regjistrimi i popullsisë do të mbahet nga 1 deri më 21 prill.

Anesa Salihu