Fjala përfundimtare e Prokurores Fatime Fetai në seancën përmbyllëse të rastit “Monstra” ka hapur debat të gjërë dhe të ashpër në opinion. Shumica mbetën të shokuar dje kur mësuan dhe dëgjuan fjalët e Fatime Fetait në sallën e gjyqit, e cila kërkonte burgim të përjetshëm për të akuzuarit shqiptarë. Sipas Fetait, rasti nuk duket të jetë i montuar dhe se sipas provave, të akuzuarit janë fajtorë për vrasjen e të rinjve maqedonas në Liqenin e Smillkovës, përcjell in7.

Nuk ka mundur të rrijë pa reaguar gazetari i njohur nga Shkupi, Furkan Saliu, i cili mes tjerash, prokuroren Fetai e ka cilësuar si aktore. Sipas Saliut, nuk ka asgjë në botë që mund ta bindë atë se Agim Ismailoviçi, njëri prej të akuzuarve, ka vrarë fëmijë. Këtë, sipas tij, nuk mund ta bëjë as një prokurore që karierën e saj e ka nisur në parti politike e që ka bashkëpunuar me Katica Janevën, të cilën Saliu e cilëson si “reketashe”.

“Ky sistem i kalbur i “drejtësisë”, që brenda në vete ka më shumë kriminel se sa e gjithë Maqedonia, ndoshta ndonjëherë në jetë, në bashkëpunim me shërbimet që punojnë më shumë për Beograd se sa për Shkup, munden edhe me m’bind se vëllai im është terrorist, ndoshta edhe dyqysh do të më bindin se të akuzuarit tjerë janë fajtorë, por kurrë, asnjëherë nuk mundet me m’bind se Agim Ismailoviç ka vra fëmijë dhe se është terrorist!!!
Edhe më pak mundet me m’bind një prokurore që karrierën e ka nis në parti politike, është emëruar në Prokurori Speciale nga politika, e që ka punu me reketashe si Katica Janeva”, ka shkruar Furkan Saliu.

Veprimet dhe sjelljen e Fatime Fetait, gazetari Saliu e krahason me atë të aktoreve, pasi siç thotë ai, në këtë procedurë gjyqësore, Fetai më shumë është sjellur si aktore sesa si prokurore. Dyshime të tilla vijnë pasi sipas tij, Fetai ka konstatuar se të akuzuarit janë fajtorë duke u bazuar në faktet dhe provat e siguruara nga MPB’ja e Jankullovskës, Gruevskit dhe Mijallkovit.

“Zonjë, çanta dhe këpucët e shtrenjta, frizura dhe make-up, teatri dhe aktrimi është punë e aktores.
Konstatimi se Agimi ka kryer akt terrorist i bazuar në prova që i ka siguruar një prokuror dhe një MPB e Gruevskit, Mijallkovit dhe Jankullovskes është konstatim i një aktores, e jo i një prokurores që e ka pas për detyrë ma pak kohë me harxhu për frizurën e më shumë me u djersit që me zbulu të vërtetën e plotë”, përfundon shkrimi i Furkan Saliut, gazetar aktiv në Maqedoninë e Veriut.