Një skandal është zbuluar mbrëmjen e djeshme ku një sanitare i ka marrë miliona lekë familjes së një gruaje të sëmurë me COVID-19.

Tire Alldervishi sanitarja që u hoq si infermiere e ‘Shefqet Ndroqit’ dhe i mori vajzës së një pacienteje me koronavirus para për ti shërbyer është vënë në prangat e policisë.

Ka qenë pikërisht vajza e të sëmurës me covid, E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, Tire Alldervishi e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ndalimin e shtetases T. A., 58 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia.

Sipas 30-vjeçares e cila ka kallëzuar Tire Alldervishin, kjo e fundit i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.