U zotua Greqia dhe Bullgaria, por vaksinat e para në vend do të vijnë përmes Serbisë. Fqinji verior vendosi që të solidarizohet me Maqedoninë. 8 mijë vaksina Anti kovid të prodhuara nga Pfizer do të blihen me çmimin e njëjtë aq sa Serbia i ka blerë nga kompania farmaceutike amerikane. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Zoran Zaev.

 

 “Presidenti Vuçiq pranoi që vendin tonë ta ndihmoj me vaksina. Ai u nis me fjalë që duan të na dhurojnë këto doza, iu falënderuam edhe për këtë, por gjithsesi jemi shtet – kemi para dhe do ta paguajmë. Pas asaj, nga ana e tij u vërtetua se do të na shesin me çmimin e furnizimit që Serbia i ka blerë. Pasojnë detajet që do i diskutojnë ministrat e shëndetësisë- deklaroi

Zoran Zaev, Kryeministër.

Bartja e vaksinave prej Beogradit në Shkup duhet të bëhet përmes transportit rrugor me maune frigoriferi, dhe mënyra e regjistrimit të këtyre dozave përmes Agjencisë së Barnave do të bëhet në ditën që arrijnë. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se brenda javës ky kontingjent do të hyjë në vend. Vaksinat e para pritet të jepen më së voni të premten. Ndërkohë, Ministri Venko Filipçe me homologun serb Zllatibor Loçnar do të koordinohen për detajet e tjera.

Ministria e Shëndetësisë

“Sistemi ynë shëndetësor është plotësisht i përgatitur për vaksinim. Klinika e Transfuziologjisë dha 2 frigoriferë në -80°C për të ruajtur vaksinën Pfizer dhe dy frigoriferë të tjerë në -80°C arritën në vend këtë fundjavë. Deri në fund të muajit, tre frigoriferë të tjerë për vaksinën Pfizer do të mbërrijnë.”

Nga ky dikaster thonë se procesi i furnizimit direkt nga Pfizer është në fazë finale dhe 5850 dozat e tyre do të arrijnë në muajin shkurt. Nga 17,500 doza të tjera do të vijnë për muajin mars dhe prill. Duke ditur që vaksinat e llojit Pfizer injektohen në dy doza, këto 8 mijë copë që duket se janë më afër nesh do të rezervohen për 4 mijë persona. Targeti është i ditur, të parët do t’i marrin doktorët, infermierët dhe personeli mjekësor që është në reparte infektive dhe kovid qendrat e vendit.

Përgatiti: Adnan Qaili