Koment:Tetovasot

Nuk është si “darka e Nusretit”, por është një e tillë që ka çmimin e jetës. Ndoshta dy jetëve njëkohësisht. Asaj të zakonshmes dhe tjetrës politike.

Qe jeta e Selës në 27 Prillin e përgjakshëm e mizor që kishte shumë mundësi të mbaronte dhe dihej se kush ishte në pushtet atë kohë.Dhe ata të pushtetit të asaj kohe dhe pasuesit, nuk i kërkuan kurrë falje Selës, madje shpëtimtari i tij është akoma në burg.

Nuk mbeti shqiptarë që nuk ndjeu keqardhje për 27 Prillin , ishte ose jo politikisht në një vijë me kreun e ASH atë kohë.
E dënuan kush si mundi atë akt çnjerëzorë e mesjetar. Dhe tani kur plagët akoma nuk janë shërruar, Selën e gjen në një tavolinë me pasardhësin e asaj partie që Sela mbase mund të ketë falur çdo gjë, por janë shumë shqiptarë që kanë pësuar kaq rëndë nga ajo parti që Sela do të bëjë një Aleancë politike, pra janë shumë shqiptarë që smund ta falin një parti nacionaliste akoma.

Ajo VMRO që nuk kërkoi kurrë falje dhe as u distancua nga regjimi modern dhe i ashpër ndaj shqiptarëve. Ato të bëma që nuk i fsheh dot askush.

Po kjo darkë, për çfarë kauze atëherë u bë. Çkanë të përbashkët kauzat maqedonase dhe ato shqiptare që janë si dy pole të kundërta?!

Në atë tavolinë shpëtimi karierash politike, shqiptarëve më shumë u nevojitet si ta rrëzojnë një pushtet se sa të bëhen pazare politike për politikanët që duan ta zgjasin jetën e tyre politike.

Në atë tavolinë me protagonistë të gabuar për qëllime shqiptare, nuk mund të bëhen pakte për interesa kombëtare me ata që këto interesa ti shkelën prej vitesh.

Ky është nxitimi politik i Selës që po shkon apo shkel në një fushë të minuar që mund ta paguajë me çmimin politik dhe kjo është ajo jeta e dytë, goditja e dytë e një lideri ku shqiptarët duan të kapen si shpresë, por ai po i dërgon në humnerë për të fituar ca komuna më shumë me një aleat si VMRO.Por kjo mund ti kthehet bumerang dhe si për inat BDI si gjithmonë të shfrytëzojë këtë moment për të ruajtur pushtetin si gjithmonë.