Kryediplomatja bullgare, Zaharieva e prerë se fqinjësia duhet të bëhet pjesë e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që dokumentet dypalëshe të zbatohen dhe monitorohen gjatë gjithë procesit të negociatave. Nga foltorja e Asamblesë Kombëtare, Zaharieva përsëriti kritikat për shkeljen e marrëveshjes së vitit 2017 dhe porositi Shkupin se pa i tejkaluar stereotipat, nuk mund të niset drejt BE-së.

Tani shpresoj që me uljen e emocioneve dhe me qasje racionale të fillojmë të bisedojmë si do t’ia bëjë udhëheqësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mënyrë që të fillojë ta zbatojë marrëveshjen, ta ndërpresë gjuhën e urrejtjes dhe të sillet si kandidat i vërtetë për anëtarësim në BE. I porosis kolegët në Shkup: më pak emocione, më shumë pragmatizëm dhe vepra në drejtim të zbatimit të marrëveshjes dypalëshe!- deklaroi Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Por gjatë debatit parlamentar për veton, disa deputetë kundërshtuan strategjinë me të cilën Sofja i është qasur kontestit. Zhabljanov adresoi një sërë kritikash për marrëveshjen dypalëshe të vitit 2017 duke thënë se e njëjta nuk parashikon afate dhe kësisoj janë të pabaza kritikat ndaj Shkupit se nuk ka respektuar.

Pozicioni jonë nuk varet nga puna e Komisionit të historisë. Ai komision mund të ngec 15 vjet, ndërsa projektet ekonomike infrastrukturore, të parashikuara në marrëveshje, të përfundojnë në vitin 2050. Si e keni sqaruar mos-zbatimin e marrëveshjes në këtë rast? Sa i përket të ashtuquajturës “Bileta e udhëtimit” paraqet kushte shtesë ndaj marrëveshjes, që duhet të pranohet nga pala maqedonase. Çfarë statusi ka një dokument i këtillë znj.ministre? Kurrëfarë statusi, sepse afatet që duhej të figuronin në marrëveshje, tani mundoheni t’i inkorporoni në një lloj bilete udhëtimi- pohoi Valeri Zhabljanov, Deputet bullgar.

Zhablajnov këmbënguli që pozicioni i Sofjes të publikohet tani, në mënyrë që të bëhet i detyrueshëm për Qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve të marsit, duke theksuar se çështja nuk mund t’i lihet intervistave dhe mendimeve personale të zyrtarëve të Maqedonisë së Veriut e as përfaqësuesit special, aq më tepër kur Sofja nuk ka një të tillë në Shkup. Ndryshe, Përfaqësuesi special i Qeverisë, gjatë dy ditëve të kaluara takoi krerët e shtetit bullgar, të cilëve iu dorëzoi non-paper si garanci se shkurtesa “Maqedonia e Veriut” nuk nënkupton pretendime territoriale ndaj Bullgarisë dhe se vendi nuk ka pretendime për pakicë maqedonase në shtetin fqinj. Shkaku i vetos bullgare, zgjerimi i BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk ishte në agjendën e takimit dyditor të Këshillit Evropian.