Viktima e atentatit të djeshëm me armë zjarri në një lokal në fshatin Goraj të qytetin e Kuçovës rezulton të jetë ende në Morgun e Spitalit Rajonal të Beratit.

Edhe pse autopsia mjeko-ligjore mbi trupin e viktimës ka përfunduar rreth orës 14:00 të ditësh së djeshme,në Morgun e Beratit nuk është paraqitur ende asnjë familjar për të tërhequr trupin e pajetë të 37-vjeçarit, Ajet Guneli, që vazhdon ende të qëndrojë në frigorifer.

Burime nga Morgu i Beratit konfirmojnë se, janë në pritje të vëllezërve të viktimës, që janë nisur nga Greqia për të marrë vëllain e tyre të vdekur.

Burime brenda Drejtorisë Vendore të Policisë Berat konfirmojnë se në vendngjarje janë gjetur 27 gëzhoja të së njëjtës armë kallashnikov,që është edhe arma e krimit.

Burimet konfirmojnë edhe rezultatet e mjekësisë ligjore. Sipas burimeve,ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se në trupin e viktimës ka pasur 20 plumba.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore,viktima Ajet Guneli kishte marrë një plumb në qafë, 2 plumba në bark dhe 17 plumba në gjymtyrët e poshtëm dhe sipas raportit të mjekësisë ligjore, viktima kishte vdekur në vend.