Qeveria e emëroi ish kryeministrin njëherësh ish lider i LSDM-së, Vllado Buçkovski si përfaqësues të posaçëm për Bullgarinë. Qeveria konfirmon për Alsat se po negocion me Sofjen për një plan të përbashkët aksionar rreth zbatimit të marrëveshjes së 2017-tës, por jashtë kornizës negociuese.

– Advertisment –

 

Qeveria mbetet e përkushtuar në bisedimet me Bullgarinë për çështjet e hapura. Vazhdojnë kontaktet dhe këmbimi i ideve mes dy qeverive. Bëhet fjalë për zhvillim të më shumë ideve në funksion të kthimit të besimit në Marrëveshjen për miqësi, veçanërisht në drejtim të forcimit të besimit për efikasitetin dhe funksionalitetin e saj”-thonë nga Qeveria.

“Një ide e tillë është për shembull mundësia për harmonizimin e planit të përbashkët aksionar, të pranueshëm për dy palët, roli i të cilit do të ishte ndjekja precize e zbatimit të detyrimeve nga marrëveshja”, theksojnë nga Qeveria.

Ekzekutivi gjithsesi nuk përjashton mundësinë që përpjekjet të dështojnë, duke theksuar se “Qeveria vazhdon fuqishëm me agjendën reformuese në shtëpi, ndërsa negociatat me Unionin do të fillojnë kur të krijohen kushte për këtë.”

Nga ana tjetër dështoi përfundimisht nisma e opozitës për miratim të pozicionit kombëtar kundrejt Bullgarisë. Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski theksoi se mos-gatishmëria e deputetëve për konsensus kombëtar është tregues se pushteti po udhëheq negociata sekrete, në dëm të interesave shtetërore.

Për herë të parë pas një kohe të gjatë, shumica vendosi të bënte kuorum, por fatkeqësisht propozimi i opozitës të diskutonim për pikën “Miratim të konsensusit kombëtar për marrëdhëniet maqedonase-bullgare në kontekst të rrezikut për bllokim të euro-integrimeve” u refuzua me 5 vota kundër, të deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së”-tha Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE .

Për shkak të vetos bullgare as një ditë më parë Këshilli i Ambasadorëve të BE-së nuk arriti ta hartonte kornizën negociuese për vendin, ndërsa vendimin përfundimtar BE-ja do ta marrë më 8 dhjetor. Nisjen e bisedimeve me BE-në, Sofja e kushtëzon me respektimin e formulimit të gjuhës në përputhje me Marrëveshjen 2017-tës, me udhërrëfyes preciz për zbatimin e marrëveshjes dhe heqje dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari.

Anesa Salihu