Një 85 vjeçar ka vdekur nga flakët që ia kapluan shtëpinë e tij mëngjesin e hershëm të së shtunës në Malishevë.

Ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësve e kishin nxjerrë atë nga banesa, por kur kishte arritur në spital ka qenë pa shenja jete, njofton Klan Kosova.

Lajmin tragjik për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj.

“Më datë 19.12.2020 rreth orës 03:30 minuta të mëngjesit të sotem përmes telefonit është informuar Stacioni policor – Malishevë se në rrugën ,,Ali Podrimja’’ në Malishevë, është duke u djegur një shtëpi banimi”.

“Patrulla e policisë ka dalë ne vendin e ngjarjes ku aty kishin arritur dhe zjarrfikësit, dhe kanë marr të gjitha veprimet për shuarjen e zjarrit dhe largimin e një personi i cili kishte mbetur brenda, ku me emergjencë është dërguar në QKMF-Malishevë. Sipas mjekut kujdestar viktima është sjellë pa shenja jete në emergjencë”.

“Shkatari i zjarrit për momentin nuk dihet dhe si pasojë e zjarrit janë djegur tri katet e shtëpisë. Lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitë relevante si dhe njësia e hetimeve rajonale e cila ka dal në vendin e ngjarjes dhe është duke u marr me rastin, është kontaktuar prokurori i shtetit dhe me urdhër tij trupi i pajetë dërgohet për obduksion ne IML-e Prishtinë. Viktima është e datëlindjes 1935”.