Konsumi i disa ilaçeve për pacientët pozitivë ndaj Covid 19 të shtruar në spitale, është trefishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por sasitë e kërkuara shpërndahen në kohë dhe nuk ka mungesë të barnave thonë nga Ministria e Shëndetësisë. Në klinikat Covid në Shkup, aktualisht trajtohen 486 pacientë të konfirmuar dhe të dyshuar për Covid-19, shumica prej tyre janë në mbështetje të oksigjenit. Vetëm në 24 orët e fundit, në qendrat kovid në Shkup u shtruan 32 pacientë të rinj, për shkak të ndërlikimeve nga Covid 19. Në 24 orët e kaluara, nga spitalet janë lëshuar12 pacientë të shëruar.

Edhe përkundër numrit të madh të të shtruarve, nga ministria thonë se në klinikat në Shkup deri në orën 8 të mëngjesit të së mërkurës, kishte 30 vend e të lira e gjatë ditës pritet që të lirohen edhe vende të tjera pas lëshimit në shtëpi nga klinika infektive dhe spitali 8 shtatori, të pacientëve që fituan betejën me virusin Korona. Të gjitha repartet infektive kanë furnizim me oksigjen dhe mund të kujdesen për pacientët që kanë nevojë për mbështetje të oksigjenit, thonë nga ministria e resorit. Për të diskutuar rreth kapaciteteve në qendrat Kovid dhe spitalet e tjera në brendi të vendit si dhe trajtimin e të sëmurëve dhe rotacionet e stafit mjekësor, ministri Filipce takoi drejtorët e klinikave të brendshme. Në këtë takim u konstatua se ka mjaft vende të lira në klinika.

“Ministria e Shëndetësisë po monitoron situatën me numrin dhe pranimin e pacientëve dhe nëse paraqitet nevoja, do të hapen reparte shtesë për kujdesin për pacientët covid pozitivë. Sa i përket personelit, një numër shtesë i mjekëve do të dërgohen në të gjitha Qendrat Covid të klinikave të brendshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Aktualisht, deri me të dhënat e një dite më parë, me numrin e të infektuarve kryeson Shkupi me 10.729 raste active, i ndjekur nga Tetova me 1.004, raste, Prilepi me 988, Manastiri me 950 dhe Gostivari me  937.