Aksionet e shtuara të Policisë në qytetin e Tetovës dhe Gostivarit ka bërë që vetëm gjatë ditë së djeshme të shqiptohen 202 sanksione. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme Toni Angellovski nga qyteti i Tetovës tha se këto kontrolle të shtuara janë në kuadër të aksionit policor për të shtuar rregull në komunikacion.

“Dje dhe sot jemi në Tetovë dhe Gostivar dhe ajo çka është si rezultat i ditës së djeshme në këto dy qytete kemi 202 sanksione nga të cilët 36 janë për mos regjistrim të veturës, 24 janë për vozitje pa leje, gjithashtu kemi dënime për mos mbajte të maskës mbrojtëse dhe drejtim të automjetit në ndikim të alkoolit, si dhe sanksione të tjera”, deklaroi Toni Angellovski – zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Por a është e logjikshme në një kohë pandemie kur edhe shteti dhe qytetarët janë në krizë ekonomike të shqiptohen dënime nga 300 euro. Angellovski këtë e arsyeton me atë se jeta e njeriut nuk ka çmim dhe se qëllimi është të ulen aksidentet dhe jo të sanksionohen qytetarët.

“Qëllimi i këtyre sanksioneve është që të pakësohen viktimat dhe jo të dënohen qytetarët. Këto dënime janë edhe preventivë edhe këtë e shoh edhe në bazë të rezultateve. Të mërkurën do të dalim dhe me analiza dhe më numra konkret, kemi ulje rapide të numrit të fatkeqsive të komunikacionit dhe jeta e njeriut nuk ka çmim dhe këto aksione bëhen për të ulur numrin e viktimave”, u shpre zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Toni Angellovski.

Të gjithë ekipet kanë qenë nga Ministria e Punëve të Brendshme nga Shkupi. Ajo që ra në sy ishte se zëdhënësi Toni Angellosvki nuk u prit nga asnjë pjesëtar i SPB Tetovë. Ndërsa mbi 80 pjesëtarë të policisë së komunikacionit të Tetovë gjatë ditë së djeshme dhe të sotme nuk kanë qenë të angazhuar në patrullimet policore.