Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se dy persona janë arrestuar për tentim të dhënies së ryshfetit në pikat kufitare Vërmicë dhe Qafë-Morinë.

Në pikën e kalimit kufitar të Vërmicës, një shtetas i Malit të Zi ka tentuar të iu ofroj mito zyrtarëve policor ku menjëherë është arrestuar dhe i janë konfiskuar paratë dhe dokumentët e udhëtimit, njofton Klan Kosova

“Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull shtetas i Malit të Zi, pasi që i njëjti, në hyrje me automjet-kamion gjatë kontrollimit të dokumenteve, zyrtarëve policor u ka ofruar mito. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa kartëmonedha, dokumenti i udhëtimit dhe libreza e kamionit i janë konfiskuar për veprime të mëtutjeshme”, thuhet në raportin e Policisë.

Rasti i njejtë ka ndodhur edhe në pikën e kalimit kufitar në Qafë-Morinë, ku është arrestuar një shtetas i Shqipërisë.

“Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë pasi që i njëjti, në hyrje me veturë gjatë kontrollimit të dokumenteve, për shkak të mosplotësimit të kushteve për kalim kufiri, zyrtarëve policor u ka ofruar mito. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa kartëmonedha vetura, dhe libreza e veturës i janë konfiskuar për veprime të mëtutjeshme”.