Taulant Kryeziu është deputeti që do të zëvendësojë vendin e Rexhep Selimit në Kuvend.

“Sot jam betuar si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo është dita më sublime e angazhimit tim publik”, shkroi ai në Facebook.

“Biseda e parë me Albin Kurtin ishte edhe e fundit për t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk më është dashur më shumë se një takim për të kuptuar se Albini është e vetmja mundësi për të ndërtuar një Republikë të drejtë, të barabartë dhe prosperuese. E falënderoj Albinin për mundësinë për t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe për të ofruar një kontribut modest në ndërtimin e një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Më duhet të falenderoj të gjithë votuesit dhe aktivistet e Lëvizjes Vetëvendosje!”.

“Republika e Kosovës ia ka borxh brezave të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, Komandanti legjendar Adem Jashari, simboli rezistencës Adem Demaçi, për një Kosovë të begatshme e cila qëndron krah për krah me shtetet tjera perëndimore si anëtare e NATO-së dhe BE-së”.

Rexhep Selimi ishte shef i Grupit Parlamentar, por në këtë post nuk e ka zëvendësuar ende askush.