Politikologu Xhenis Sulimani i është përgjigjur kreut të partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, i cili theksoi sot se nuk mundet ministri i jashtëm, Bujar Osmani si shqiptar të negociojë për çështjen maqedonase me Bullgarinë.

Ky është reagimi i plotë i Sulimanit:

Me qëndrim fashist kërkon “vdekje për fashizmin”. E majta ekstreme maqedonase e ka shumë të vështirë faktin se një funksionar shqiptar mund të udhëheqë me resor të rëndësisë së veçantë për shtetin. Ky soj, e ka vështirë të percpetojë faktin se shtetari i vërtetë nuk e dallon etnikumin brenda udhëheqjes ku si synim është e mira e përgjithshme.

Imagjino, e majta ekstreme maqedonase kërkon dorëheqje të ministrit të parë shqiptarë në detyrën e shefit të diplomacisë së vendit, vetëm për faktin e përkatësisë etnike. Kulmi, kur merr shembull që nuk qëndron. E merr nëpër gojë të madhin Skenderbe dhe gabimisht e pozicionon në krahasimin e tij. Çështjet historike për të cilat aludon ekstremi i majtë maqedonas, janë polemika historike që duhet edhe do t’i zgjidhë historia dhe jo politikanët. Çka ishte Skenderbeu ka treguar vet heroi, dhe këtu s’ka kontestime.

Pa u zhytur në labirinthet historike, një politikan mirëfilltë, flet dhe punon për të ardhmen. Sa keq që në të ardhmen e ekstremit të majtë maqedonas nuk janë yjet e Evropës por të Rusisë dhe Kinës. Është tipike fashiste të identifikosh funksionarët e shtetit ku jeton për nga përkatësia etnike, ose t’i vlerësosh mbi baza etnike.

Për shqiptarët, vizioni politik është i qartë, para 500 viteve e ka definuar vet Skenderbeu- Evropa. Jo ministër maqedonas në Shqipëri, por edhe kinez të jetë, ai e di se Evropa është prioritet.

Prandaj edhe shqiptarët, pavarësisht se a kanë pozicione në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut apo Kosovë, agjendën dhe vizionin për Evropë e kanë të pakontestueshëm.

Por ja çfarë shkroi Apasiev:

Të nderuar bashkëqytetarë shqiptarë.

Imagjinoni këtë situatë: Republika e Shqipërisë të ketë një ministër të jashtëm etnik maqedonas dhe ai, në emër të gjithë shqiptarëve, duke negociuar me Republikën e Turqisë nëse Skender Begu është shqiptar apo turk? A do të ndjeheni rehat? A nuk do t ‘ ju zhgënjejë kjo?

Pikërisht kështu na bën Bujar OSMANI nga BDI-ja! Në emër të maqedonasve negociohet me bullgarët që ishin Cyril, Metodi, Klement, Naum, Samuel, Goce… Me çfarë të drejtë? Me fuqinë e avokatit të kujt?

Prandaj, të dashur bashkëqytetarë shqiptarë. Tani, në këto momente dramatike, kur në mënyrë të çmendur dhe fshehurazi identiteti ynë në Sofje po shitet, tani është koha ta dënojmë Osmanin dhe të qëndrojmë krah për krah me ne, fqinjët tuaj shekullorë!

Vdekja e fashizmit, liria e popullit!”, ka shkruar Apasiev.(INA)