Borussia Dortmund do të kthehet duarthatë nga Berlini. Skuadra e Favre është mposhtur me rezultat 2-1 nga Union Berlin për t’u kthyer të rezultatet negative pas fitores 1-2 kundër Werder Bremen në mesjavë. Të tre golat në këtë ndeshje u shënuan në pjesën e dytë

Borussia Dortmund ka vazhduar me rezultate negative në Bundesligë edhe pse kishte treguar se mund të rikthehet te rezultatet pozitive në mesjavë.

Megjithatë, ata sot kanë humbur si mysafirë të Union Berlin në kuadër të xhiros së 13 të Bundesligës gjermane.

Pjesa e parë ishte tepër e baraspeshuar, me Dortmundin që sulmonte më shumë dhe Union Berlinin që tentonte të vinte te goli përmes kundërsulmeve dhe ndërprerjeve.

Gola nuk pati deri në pjesën e dytë, ku u shënuan tre sosh.

Ishin vendasit që shënuan të parët në minutën e 57-të, ku pas një goditje nga këndi në zonë u gjet më se miri Taiwo Awoniyi për ta zhbllokuar sfidën.

Dortmundi do të reagonte shpejt dhe nga ndeshja e hapur do të barazonte rezultatin.

Ishte talent i ri i Borussia, Youssoufa Moukoko që do të shënonte një gol të bukur në minutën e 60.

Megjithatë, duke e kërkuar golin Dortmund vendasit dolën përsëri në kundërsulm dhe fituan një goditje nga këndi, nga të cilat pozita ata janë mjaftë të rrezikshëm.

Kështu në minutën e 78 Marvin Fridrich do të shënonte golin e dytë për Unionin, i cili gol do t’i jepte tri pikë të mëdha skuadrës nga kryeqyteti gjerman.

Pas golit, Dortmundi u mundua të barazoi por më kot.

Edhe pas kësaj humbje, Dortmund mbetet në vendin e katër me 22 pikë, s’paku deri nesër kur do të luan Wolfsburgu që ka 21 pikë dhe mund t’i dal para skuadrës së Favres.

Në anën tjetër, Union Berlin tanimë ka 21 pikë dhe është në vendin e pestë të Bundesligës gjermane.