Skema globale për shpërndarje të vaksinës kundër koronavirusit në shtetet e varfra, përballet me rrezik “shumë të madh” të dështimit, duke lënë vendet me miliarda njerëz pa akses në vaksina deri të paktën më 2024, është thënë në një dokument të brendshëm, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX përbën skemën kryesore globale të vaksinimit kundër koronavirusit në shtetet me të ardhura të ulëta apo të mesme në gjithë botën. Ky program synon të shpërndajë të paktën 2 miliardë doza të vaksinës deri në fund të vitit 2021, për të mbuluar 20 për qind të njerëzve më të brishtë në 91 shtete me të ardhura të ulëta apo të mesme, kryesisht në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine. Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriu, Shqipërinë dhe Kosovën, synojnë të furnizohen me vaksinën kundër COVID-19 – përmes këtij programi.

Mirëpo në një dokument të brendshëm, të cilin e ka parë Reuters, promovuesit e kësaj skeme kanë thënë se programi është duke u përballur me mungesë të fondeve, me rreziqe të furnizimit dhe kontrata komplekse, të cilat mund ta bëjnë të pamundshme arritjen e këtyre synimeve. Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin, GAVI udhëheq COVAX-in bashkë me OBSH-në. Ky raport dhe dokumente tjera të përgatitura nga Gavi, janë duke u diskutuar në takimin e bordit të GAVI-t nga 15 deri më 17 dhjetor.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut pritet të sigurojë mbi 800 mijë dozat e para të vaksinave kundër Covid-19 pikërisht nga ky mekanizëm. Këto doza pritet të shërbejnë për imunizimin e rreth 20 për qind të popullatës, respektivisht 400 mijë persona, pasi që vaksina jepet në dy doza. Autoritet shëndetësore në vend kanë paralajmëruar se përveç këtij mekanizmi, vaksina do të sigurohen edhe përmes furnizimit direkt të vendeve të BE-së, që tashmë i kanë ofruar ndihmë Maqedonisë. Deri më tani ndihmë kanë ofruar Polonia dhe Greqia.