Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka publikuar një video ku tregon se si komunikojnë pacientët e shtruar në spitalin Infektiv me familjarët e tyre.

Para disa ditësh, Manastirliu takoi familjarët e pacientëve të shtruar me Covid19, në pikën e informacionit të ngritur pranë Spitalit Infektiv, për të dëgjuar shqetësimet dhe për të folur për elementët e rinj të komunikimit të familjarëve me pacientët përmes tabletave.

Statusi i plotë

Në situatën e pandemisë në gjithë spitalet Covid, stafet mjekësore veç dedikimit dhe kujdesit profesional për pacientët, janë kujdesur në çdo moment, që të komunikojnë me familjarët për t’i informuar për gjendjen shëndetësore të pacientëve që ndjekin, për çdo pëmirësim apo shqetësim në lidhje me gjendjen shëndetësore të tyre.

Veç terapive të mjekimit dhe ndjekjes së gjendjes klinike për çdo pacient, po kujdesemi dhe për mbështetjen emocionale dhe sociale të pacientëve nëpërmjet vendosjes të komunikimit të tyre direkt me familjarët.

Kemi vendosur dhe mënyrë tjetër komunikimi, përmes tabletave të posaçme për video-telefonata, për t’ju dhënë zemër dhe mbështetje pacientëve të shtruar në spital me #covid19, nga familjarët e tyre, që presin me padurim të komunikojnë me të afërmit dhe t’i përcjellin dashurinë dhe mbështetjen në këto momente.