Mijëra mbështetës të presidentit Donald Trump dolën në rrugët e kryeqytetit të vendit të shtunën për të mbështetur përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin në zgjedhjet presidenciale që ai humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden.

Grupet konservatore që pretendojnë pa prova se zgjedhjet e 3 nëntorit u vodhën nga Presidenti Donald Trump zhvilluan protesta në të gjithë vendin, ndërsa në Uashington pati momente tensioni dhe dhune në disa raste.

Momente tensioni në kryeqytetin Uashington, ku mijëra njerëz protestuan përpara Gjykatës së Lartë dhe Freedom Plaza.

Policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të ndarë disa mbështetësit pro Trump, përfshirë disa anëtarë të grupit të ekstremit të djathtë Proud Boys. Të paktën gjashtë persona të arrestuar. Në Olimpia, kryeqyteti i shtetit të Uashingtonit, në bregun perëndimor, pati të shtëna nga një grup protestuesish pro-Trump. Mes protestuesve mbeti i plagosur një person dhe gjendja e tij nuk dihet për momentin.

Njeriu që qëlloi thuhet se u arrestua ndërsa u përpoq të arratisej.

Mbështetësit në rrugët e Uashingtonit brohoritën ndërsa Presidenti Trump fluturoi me helikopterin e marinës përgjatë rrugës për në ndeshjen e futbollit në Uest Point në Nju Jork.

Megjithëse tubimet ishin promovuar për javë të tëra, Trump shkroi në Tëitter “Uau! Mijëra njerëz po grumbullohen në Uashington D.C. për tubimin Ndalni Vjedhjen. Nuk kisha dijeni për këtë, por do t’i përshëndes! #MAGA. ”

Tubimet kanë për qëllim të tregojnë mbështetje për presidentin dy ditë para se Kolegji Zgjedhor të mblidhet për të zgjedhur zyrtarisht Bidenin si presidentin e 46-të të vendit.

Përveç Uashingtonit, aktivitete janë planifikuar dhe në kryeqytetet e Xhorxhias, Pensilvanisë, Miçiganit, Uiskonsinit, Nevadës dhe Arizonës – të gjitha shtete ku zyrtarët e fushatës së presidentit Trump kanë sfiduar numërimin e votave.

Gjykata e Lartë amerikane hodhi poshtë të premten një padi gjyqësore të ngritur nga shteti i Teksasit për të shpallur të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në katër shtete ku presidenti Trump humbi ndaj zotit Biden, duke i dhënë fund përpjekjes së Trumpit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve përmes gjykatave. Më shumë se 50 vendime të gjykatave federale dhe shtetërore kanë mbështetur fitoren e zotit Biden mbi Presidentin Trump.

Tubimi në Uashington me moton “Ndaloni Vjedhjen” u drejtua nga ish këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn i falur kohët e fundit nga presidenti Trump. Organizatorët dhe grupe kishtare u bënë thirrje mbështetësve të marrin pjesë në ato që ata po i quajnë “Marshimet e Xherikos” (Jerico Marches) dhe tubimet e lutjeve.