Shqipëria ka ndaluar importin dhe tranzitimin e kafshëve nga Maqedonia, si masë mbrojtëse, kundër sëmundjes së kafshëve, e njohur si gjuha blu.

Deri tek vendimi për ndalim të importit dhe tranzitimit, ka ardhur si pasojë e neglizhencës së Agjencisë për ushqim dhe veterinari të Maqedonisë së Veriut, në rregullimin në kohë të dokumentacionit përkatës sa i përket paraqitjes apo jo të ndonjë sëmundjeje tek kafshët dhe deponimin e këtij raporti në Organizatën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Shëndetit të kafshëve OIE, është shprehur kreu i shoqatës së Blegtorëve të Maqedonisë së Veriut, Mexhit Amiti.

Ai më tej ka shtuar se, shkaku i kësaj vonese, Maqedonia e Veriut, do të ketë një humbje prej rreth 12 milion euro, nëse kufiri nuk hapet, me qëllim që, të vazhdojë eksporti i kafshëve. Por, sipas Amitit, ky nuk është problemi i vetëm i blegtorëve të vendit. Ata ankohen edhe për çmimin e ulët të mishit të qengjit në treg, gjë kjo që, pamundëson kultivimin e tyre në të ardhmen, sepse rritja e tyre, kushton më shumë se sa shitja.