Pas emërimit të Vllado Buçkovskit si përfaqësues special të Qeverisë për kontestin me Bullgarinë, mediat bullgare kanë cituar një qëndrim të mëhershëm të Buçkovskit, “maqedonasit dhe bullgarët janë një popull në dy shtete”. Kjo ka shkaktuar përplasje te social demokratët. Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski e cilësoi qëndrimin e Buçkovskit si tradhti, dhe përpjekje që ideologjinë ta zëvendësojë me klientelizëm, lojalitet dhe intriga.

Përpjekjet përmes derës së vogël të plasohen teoritë se për palën bullgare është e pranueshme se populli maqedonas ekziston nga viti 1944 është vetëm vërtetim i tezave se ne jemi krijesë artificiale. Këto deklarata janë kundër interesave dhe pozicioneve kombëtare maqedonase dhe njëkohësisht kundër Kushtetutës dhe Preambulës së saj, e cila thirret në aktet e Kryengritjes së Krushevës, KAÇKM-së dhe referendumit të vitit 1991”-tha Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.

Ministri i Brendshëm tha se vlerësimet e Dimitrievskit janë personale.

Nuk dua të komentoj deklaratat e askujt. Gjithkush ka të drejtë të ketë mendim personal, atë do ta vlerësojnë qytetarët. Ashtu si shpreh unë mendimin tim, ashtu ka të drejtë të bëjë gjithkush”-tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Ndërsa kryeministri, Zaev e cilësoi Buçkoskin si “Driving force” respektivisht promotor të zbatimit të obligimeve që dalin nga marrëveshja e 2017-tës, duke thënë se edhe nëse vendi nuk fillon negociatat tani shkaku i vetos bullgare, negociatat për kompromis do të vazhdojnë.

Gjithsesi strategjia e shtetit është të vazhdojmë të bisedojmë, të krijojmë atmosferë, të eliminojmë pengesat për verën e ardhshme, nëse këtë nuk mund ta arrijmë tani, por duhet të përpiqemi maksimalisht deri në moment të fundit. Buçkoski është emëruar për 1 vit, ashtu që do të punojë vërtetë në realizimin e planit aksionar, për zbatim më të suksesshëm të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë”-deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Në mbështetje të Buçkosit doli edhe Presidenti, Pendarvoski. Nga kabineti i tij për Alsat konfirmuan:

Presidenti Pendarovski vlerëson se duke parë rëndësinë e kontestit maqedono-bullgar, janë të mirëseardhura të gjitha përpjekjet për zgjidhje. Duke e pasur parasysh kompleksitetin e kontestit pres që interesat shtetërore dhe kombëtare të mbrohen dhe njëkohësisht, me institucionet kompetente shtetërore të merren të gjitha hapat e mundshme që do të mundësojnë fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”-thonë nga Presidenca.

Anesa Salihu