Kryeministri Edi Rama udhëton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllimin për të siguruar vaksinën kundër Covid-19 në sasi dhe kohë sa më të shpejtë.

Me vlerësimin se lufta kundër virusit vdekjeprurës është prioritet, kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet e tij sociale shkruan se nuk do të lë gur pa luajtur me objektivin që vaksina të sigurohet sa më shpejt edhe për shqiptarët.

Edi Rama njofton se gjatë qëndrimit në Amerikë ai do të takohet drejpërdrejt me prodhuesit e dy vaksina, “Moderna” dhe “Phizer and Biontech”, që janë në pritje të marrjes së autorizimit për përdorim nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në njoftimin e tij, kryeministri Edi Rama nuk e bën të ditur nëse në këtë udhëtim drejt Amerikës është me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, si institucioni përgjegjës për sigurimin dhe më pas shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit.

Deri më tani është deklaruar se vaksina do të jetë pa pagesë. Të parët që do ta përfitojnë atë do të jenë mjekët, mësuesit dhe policët për shkak se janë më të rrezikuar nga infektimi. Më pas do të vazhdohet me vaksinimin e pjesë tjetër të popullsisë, gjithnjë falas dhe jo e detyrueshme.

Pasi vendi unë u bë pjesë e aleancës“CoVax”, është parapaguar shuma prej 3.9 milionë dollarësh për sigurimin e vaksinës. Përveç shumës nuk është dhënë asnjë detaj se nga cila kompani Shqipëria do ta sigurojë atë, sasinë, por nga kryeministri Edi Rama është deklaruar se Shqipëria, nuk do të mbetet pas vendeve të zhvilluara dhe se vaksina do të sigurohet me çdo çmim.