Kryeministri Rama e krahasoi opozitën me terroristët e Boko Haram që përdor fëmijët si kamikazë duke i quajtur ata si arsyeja qe fshihet pas protestës së dhunshme në selinë e PS-së në Shkodër.

Lidhur me deklaratat e kreut të qeverisë ka ardhur edhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi.

“Gjuha e urrejtjes dhe përpjekjet e dëshpëruara të Edi Ramës për të fajësuar PD për 7 vitet e dështimit, premtimeve boshe dhe arrogancës së tij, tregojnë sa larg realitetit ku jetojnë shqiptarët, është ky njeri dhe shpura e tij. Keqqeverisja, dhuna dhe arroganca 7-vjeçare e Edi Ramës janë shkaktarët e vetëm të revoltës dhe zemërimit të të rinjve”, shprehet Bardhi.

Kujtojmë që sot ka hyrë në ditën e katërt protesta për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, ku pas Shkodrës pritet një tubim në Tiranë.